Fushata e mjekëve për të bindur amerikanët që të vaksinohen ndaj koronavirusit

schedule16:32 - 16 Janar, 2021

schedule 16:32 - 16 Janar, 2021

Dy vjet më parë, në janar 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se hezitimi për t’u vaksinuar ishte ndër 10 kërcënimet më të mëdha për shëndetin global. Kjo ishte para se COVID-19 të përhapej në të gjithë globin. Mjekët tashmë po punojnë për ta kapërcyer këtë hezitim.

Edhe pse shkencëtarët shpejtuan për të gjetur një vaksinë, bindja e njerëzve për t’u vaksinuar mund të jetë një problem. Dy sondazhe të fundit – një nga Qendra Kërkimore Pew dhe tjetra nga Gallup – vendosin numrin e amerikanëve që nuk dëshirojnë të bëjnë vaksinën midis 37% dhe 40%.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se imuniteti i grupit mund të kërkojë deri në 85% vaksinim.

Në Filadelfia, rreth gjysma e punonjësve të urgjencës dhe mjekëve të departamentit të zjarrfikësve kanë zgjedhur të mos e bëjnë vaksinën.

“Ne shpresojmë që me kalimin e kohës dhe pasi më shumë njerëz të vaksinohen dhe të edukohen, që më shumë nga anëtarët tanë do të jenë të gatshëm ta marrin vaksinën”, tha komisioneri i zjarrfikësve në Filadelfia, Adam Thiel.

Afrikano-amerikanët kanë një nga nivelet më të larta të infektimit me COVID-19 dhe të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Megjithatë, sondazhet tregojnë se vetëm 4 në 10 afrikano-amerikanë thonë se do të vaksinohen, krahasuar me 8 në 10 aziatiko-amerikanë dhe 6 në 10 amerikanë të bardhë dhe hispanikë.

“Pakicat kanë dyshime për këtë dhe ne e kemi të drejtën të dyshojmë”, thotë Demetrio Olivieri, nga Departamenti i Zjarrfikësve në Filadelfia.

Ekspertët e Shëndetit Publik po bëjnë thirrje për fushata informacioni të përqendruara.

“Ne duhet të veprojmë më mirë për ta korrigjuar këtë problem në mënyrë që njerëzit të marrin pjesë”, thotë neuropsikologia April Thames.

Mjekët që i përkasin Bordit Amerikan të Mjekësisë po postojnë foto dhe video të tyre duke marrë vaksinën COVID-19. Është pjesë e një fushate nga Bordi Amerikan i Mjekësisë për të bindur njerëzit se vaksina është e sigurt.

“Shpresojmë që mjekët në këtë vend të kenë marrëdhënie të ngushta me familjet e tyre, me pacientët e tyre, me komunitetet e tyre, që nëse ata veprojnë të parët, t’i orientojnë dhe t’u tregojnë njerëzve se ata nuk janë vetëm të gatshëm ta bëjnë këtë, por edhe krenarë për këtë gjë, si dhe të inkurajojnë njerëzit e tjerë që ta bëjnë vaksinën. Shpresojmë që të jetë pjesë e fushatës shumë të gjerë për të cilën të gjithë kemi nevojë që të arrijmë në një pikë ku shumica prej nesh ta kenë bërë vaksinën”, thotë Dr. Richard Baron, nga Bordi Amerikan i Mjekësisë.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të infektimeve në Shtetet e Bashkuara dhe numrin e madh të vdekjeve, nevoja është urgjente. Në Kaliforni, Disneyland po tjetërsohet në një qendër të madhe vaksinimi.

Në Arizona, Garda Kombëtare po ndihmon në qendrat e vaksinimit.  Pandemia do të marrë fund vetëm kur vaksina në shishe të injektohet në krahët e njerëzve. /VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!