Negociatat e vështira PR-PD, Mediu zbulon pretendimet e partisë së tij

schedule13:39 - 16 Janar, 2021

schedule 13:39 - 16 Janar, 2021

Negociatat me kryerepublikanin, Fatmir Mediu rezultojnë më të vështira për kreun e partisë më të madhe në opozitë, ndërsa zgjedhjet e 25 prillit janë vetëm 100 ditë larg.

Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjen me aleatët e tjerë Shehi, Duka e Ndoka por kjo gjë ende nuk është arritur me kreun e republikanëve. Siç duket, Mediu nuk kërkon një vend të sigurt në listat e PD-së vetëm për vete, siç ndodhi me aleatët e tjerë.

Në një takim me strukturat e PR-së këtë të shtunë, Mediu kërkon që Basha të marrë në konsideratë vlerësimin e kandidatëve dhe po ashtu rezultatetqë merr partia që ai drejton në çdo qark.

“Ne nuk mund t’i presim rrugën një demokrati fitues. Do ta mbështesim atë ashtu siç edhe besoj se PD nuk mund t’i presë rrugën një republikani kontribues-fitues sepse i shërben fitores në 25 prill”, tha ai.

Negociatat nuk do të ndalen, ndërsa tentohet që PD dhe PR të jenë në një koalicion për zgjedhjet.

“Marrëdhëniet e PR janë shumë më specifike se marrëdhëniet e partive të tjera. Unë jam i prirur deri në fund si drejtues i PR që ne të kemi një koalicion të përbashkët. Kjo është rruga e vetme për të arritur që të fitojmë zgjedhjet”, u shpreh ai.

Mundësia e fundit që Mediu nuk përjashton është që republikanët të dalin të vetëm më 25 prill.

“Do të prezantojmë kandidatët në çdo qark. Kjo për të qenë të përgatitur në rast se do të duhet të dalim të vetëm në zgjedhje”, shtoi ai.

Këto deklarata Mediu gjatë mbledhjes së këshillit politikë të PR-së, ku i ftuar ishte dhe me ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, që nuk u përfshi në debatet aktuale në opozitë, por risolli momente të rëndësishme të PD-së ndër vite.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!