Arlind Kalaja ishte vendimtar për Vllazninë, duke shënuar golin që i dha tre pikët kundër Kukësit një ditë më parë. Shkodrani, pas ndeshjes foli për mediat dhe kishte një dedikim të veçantë për golin, ndërkohë që normalisht nuk mungoi edhe një analizë e ndeshjes, komenti mbi diferencën me rivalët dhe objektivin titull.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, e rëndësishme ndaj një rivali direkt. Ndihem mirë, pasi vij nga një dëmtim. Luaja për herë të parë si titullar. Më vjen mirë që shënova, por më shumë më vjen mirë për fitoren”, tha fillimisht Kalaja.
Kur i përmendet ndeshja e parë në Shkodër, që Vllaznia e humbi me Kukësin, sulmuesi shprehet: “E kam thënë edhe më parë se ndeshje e parë ishte sfidë episodesh, rezultati nuk ishte pasqyrë e vërtetë e ndeshjes. Këtë herë u munduam të japim maksimumin dhe më vjen miq që morëm tre pikët”.
DIFERENCA ME RIVALËT – Kalaja nuk dëshiron shumë që te Vllaznia të merren me diferencën që kanë krijuar me rivalët: “Faktikisht 9 pikë mund të duken shumë tani dhe faktikisht janë. Nuk e kemi mendjen te pikët, shohim ndeshje njëra pas tjetrës dhe pastaj uroj që të arrijmë objektivat e klubit”.
TITULLI KAMPION – Sulmuesi ngacmohet edhe për titullin kampion dhe ai hapur e thotë që Vllaznia nuk ka frikë ta përmendë, për vetë emrin që ka. “Vllaznia e ka statutin ta përmendë titullin kampion, pasi Vllaznia është Vllazni në çdo moment. Normalisht që e ka emrin për t’u përmendur pa frikë titulli”, shtoi Kalaja.
DEDIKIMI DHE BYLISI – Në fund sulmuesi kishte edhe një dedikim për golin, sikurse edhe foli për ndeshjen e radhës kundër Bylisit. “Golin ia dedikoj dy familjeve të mia: familjes time dhe familjes së Vllaznisë. Vllaznia më ka hapur derën në një moment të vështirë të karrierës time dhe më ka bërë të ndihem si në shtëpi.
Më kanë dhënë besim dhe uroj t’ua shpërblej. Ndeshja kundër Bylisit në mesjavë? Nuk kemi shumë kohë të përgatitemi, por si çdo ndeshje do e vlerësojmë maksimalisht dhe do shkojmë të bëjmë më të mirën atje”, përfundoi Kalaja deklaratën e tij. /abcnews.al