Jo vetëm vajzën, sanitarja e COVID-2 zhvati edhe të afërmin: Nëna iku e pangopur, pengu që kam

schedule22:32 - 14 Janar, 2021

schedule 22:32 - 14 Janar, 2021

Sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” Tire Alldervishi mori sot masën e sigurisë “arrest me burg”. “Stop” publikoi mbrëmjen e kësaj të enjte të tjera detaje nga rasti makabër i sanitares së spitalit, Tire Alldervishi, që me aktin e saj korruptiv dhe abuzimin me pacienten 55-vjeçare, prej ditësh mban pezull prej ditësh vëmendjen e opinionit publik. Vajza e të ndjerës ka treguar se çfarë ka ndodhur pas publikimit të ngjarjes. Ajo u shpreh se ka kërkuar urdhër mbrojtje për shkak se është kërcënuar nga i biri i Tire Alldervishit.

“Që në momentin e parë që kam dalë tek “Stopi”, atë natë kam vajtur tek rajoni 1, kam kërkuar urdhër mbrojtje duke qenë se para pak kohësh, para se mami të ndërronte jetë, kam bërë një telefonatë me numrin e Tires, e ka hapur i biri dhe më ka bërë kërcënim ndaj telefonit. Më ka thënë ‘mbaje mend mirë kur vjen në Sanatorium sepse mund të kthehesh ndryshe’. Ky ishte një lloj kërcënimi për mua se jam dhe një femër. 

Një mashkull nuk mund të ofendojë apo të flasë në atë mënyrë. Unë e marr në mënyrë kërcënimi. Pas kësaj më kanë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë. Atje kam dhënë deklaratën time, të gjithë çështjen, nga momenti i parë i shtrimit të mamit në spital deri në fund nga ndarja e jetës së saj. Kam dhe shumë fakte të reja që për Tiren nuk dihen. Në moment që isha atje, policia bën arrestin pas “Stopit”. Vjen e shoqëruar në Drejtorinë e Policisë nga bashkëshorti dhe e bija. E bija bërtiste duke mos pranuar faktin që e ëma ka bërë gjithë këtë skemë. Ndërkohë unë kam ruajtur qetësinë time, që as vetë nuk e prisja të isha kaq e qetë, por ndoqa anën e ligjit”, tha ajo.

Vajza e të ndjerës tregoi se çfarë ka ndodhur më tej duke sjellë edhe dëshminë e re, që ka mësuar më vonë, se sanitarja nuk mjaftohej me paratë, që i zhvaste asaj. E reja tregon, se Alldervishi i merrte para dhe kushëririt të saj, që punon në një market pranë Sanatoriumit.

Avokatët kanë treguar se do të tregojnë një panoramë tjetër të situatës. Ka një panoramë që nuk e dimë?

“Panorama tjetër që mbase nuk dihet, çdo gjë që është treguar është me fakte dhe nuk është me fjalë. Është video e “Stop”. Ajo ka pohuar çdo gjë ndaj meje, edhe shumë e lekëve. Ka përmendur edhe emrat që mua më vjen keq, nuk kam pasur asgjë personale. Në ato emra që janë përmendur, një ndër to është edhe Bona, kam mesazhet e Bonës që mua më thotë, “Ani, mami të jetë mirë, punën e bëj me kënaqësi. Me vjen keq që e ka përdorur shumë si emër”.

Më thatë pak më parë se përveç parave që ju ka kërkuar nuk është mjaftuar, ju ka kërkuar para dhe dikujt tjetër nga rrethi i të afërmve tuaj?

“Po. Kushëriri im punon në një market dhe ngjitur me të ka fruta perime. Zonja jetonte në lagje. Ka qenë mbase klientë në atë lagje. Mbase ikte nga unë dhe merrte shumë e lekëve, këtë unë e vërtetoj me fakte, shkonte te kushëriri im merrte 30, 40, 50 nga ana ime kjo personalisht. Shkonte dhe i thoshte kushëririt “shiko se çfarë më ka dhënë Ani. Unë po bëj të pamundurën”. Kushëriri im duke u ndjerë në faj, i jepte dhe ai. Ka ndodhur shumë herë që ka bërë pagesa edhe kushëriri im. Ka bërë ankesat e veta, ka marrë lekët dhe ka ikur. Nuk mjaftohej vetëm me pjesën time. Për këtë mund të bëjë deklaratë dhe kushëriri im. Kemi dhe fakte që ka vajtur në orarin që linte punën, shkonte te dyqani kushëririt, merrte lekët dhe ikte”.

Vajza e të ndjerës tregoi këtë të enjte në emisionin “Stop”, sesi mundi të bëjë paratë vetëm që e ëma t’ia dilte betejës me sëmundjen. Ajo tregoi se si ka kërkuar borxh dhe në një moment të vështirë ka marrë në telefon çdo numër kontakti që kishte për ndihmë. E reja foli edhe për pengun që i ka mbetur tani që njeriu më i shtrenjtë për të nuk jeton më.

“Atëherë vërtetë ishin shumë para. Kam kaluar një situatë shumë të vështirë. Isha e vetme duke pasur dy motra, një në Gjermani, një në Itali në pamundësi për të ardhur të më ndihmonin, duke dërguar pasi merrnin rrogat nga 200 Euro, 150 Euro. Të gjithë kushërinjtë që i kisha jashtë, i kam me mesazhe dhe u thosha ju lutem më ndihmoni sikur nga 20 mijë Lekë, 50 mijë Lekë. Më bëhet shuma e lekëve që më kërkohet që mami im t’ia dalë. Kam kërkuar ndihmë në një moment isha shumë e ngarkuar, me vetëm 50 mijë lekë të vjetra në xhep dhe hap numrat e telefonit dhe në çdo numër që unë kisha, të njohur apo të panjohur u thosha ‘të lutem më ndihmoni, mami im po vdes, sadopak të keni më nxirrni nga kjo situatë’. Kam marrë shumë ndihmë. Kam bërë të pamundurën që mami im t’ia dalë. Kam lënë fëmijët e mi pa parë. Kaloja para shtëpisë kur lija punën dhe nuk kthehesha tek fëmijët vetëm që t’i qëndroja mamit pranë. Ndihmë kam pasur nga të gjithë njerëzit që mami im t’ia dalë, por nuk ishte e mundur me gjithë atë shumë lekësh që mori, ajo vetëm një supë hante nga Tirja që bënte shërbimin e saj”.

Sot jeni në një situatë të ngjashme me shëndetin e babait tuaj, çfarë pengu keni nga ikja tragjike në mes tuajin? Kam lexuar mesazhin, çdokush do ta bënte, mbretëresha ime, era më e ëmbël në botë. Sot çfarë pengu keni dhe si ndiheni?

“Babai im ka i paralizuar prej 1 muaji e gjysmë. Kanë pasur një martesë shumë të lumtur. E ka përjetuar dhe dhimbjen e mamit shumë rëndë. Ai qëndron i shtrirë, i paralizuar, ka goditje në tru, ka prekje në tru. Unë bëhem e fortë para tij, nuk mund të qaj dot. Në moment që shtrihem hap mesazhet, videot që kam bërë me mamin dhe më duket sikur bisedoj me të. Fakti që unë kam unazat e mamit në dorë dhe varësen që mami im kishte, e bërë nga motra dhe babi… dedikimi i kësaj varëseje që është bërë për nënën dhe bashkëshorten më të mirë në botë dhe pastaj është emri i babit dhe i tre motrave, unë nuk mund ta fal faktin që mami im iku e pangopur, pa marrë shërbimin e duhur. 

Sa herë që shikoj këtë varëse që nëna ime e kishte kujtim nga ne, dua që drejtësinë ta çoj deri në fund që mami im të flejë e qetë aty ku ka shkuar. Dua që mami të jetë e qetë atje dhe ta largoj këtë peng që kam në shpirt. Dua të marr vesh çdo lloj informacioni, çdo lloj shërbimi që është bërë ndaj saj dhe pse e di dhe e kam vërtetuar nga mami im që më thoshte më largojnë karrigen e bukës. Sa herë ulem të ha bukë, ulem për të ngrënë e uritur dhe ngrihem e pa ngrënë sepse them “mami im iku dhe unë nuk mundem të ha kur shikoj atë”. Ulem të ha dhe ngrihem. Pi vetëm ujë edhe unë si mami im dhe prej dy javësh që ka ndërruar jetë nuk mundem të ha bukë. Nuk shkoj dot të shoh fëmijët e mi, nuk u them “hajde te mami” se kujtoj mamin tim. Ndaj dua t’i shkoj drejtësisë deri në fund”./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!