Një anketim i Komisionit Europian për cilësinë e jetesës tregon se 77 % e shqiptarëve e kanë shumë të vështrirë të përballojnë shërbimet e stomatologut. Për këtë standard, shqiptarët renditen të fundit në Europë, ndërsa të parët për kujdesin dentar janë finlandezet dhe suedezët.
Italianët vijnë në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët, por vetë shqiptarët e kanë të vështirë të përballojnë kostot e shërbimeve dentare.
Të dhënat janë publikuar në Anketën Evropiane të cilësisë së jetës të Komisionit Evropian.
77% e të anketuarve shqiptarë u përgjigjen se e kanë shumë të vështirë që të përballojnë shërbimet e përkujdesit dentar, duke u renditur të parët në Europë. Pas Shqipërisë renditet Greqia, ku 68% e të anketuarve kanë thënë se e gjejnë të vështirë, apo shumë të vështirë që të përballojnë përkujdesjen dentare në vend. Megjithatë kanë një diferencë me 10 pikë përqindje në krahasim me Shqipërinë.
Mesatarja Europiane, për individët që janë përgjigjur se e gjejnë të vështirë ta përballojnë është 36%. Vendet me përqindjen më të ulët në Europë janë Finlanda dhe Suedia, me përkatësisht 11 dhe 13%, të cilat pasohen nga Holanda me 13%.
Megjthëse vendi ynë përzgjidhet nga të huajt, listën e të cilëve e kryesojnë italianët, edhe numri i tyre ka rënë. Sipas institutit të statistikave numri i shtetasve të huaj që kanë deklaruar se kanë ardhur në Shqipëri për arsye shëndetësore ishte 111 në pesë muajt e parë të vitit, nga INSTAT, duke shënuar rënie në krahasim me një vit më parë. /abcnews.al

