Bashkia e Korçës dhe ajo e Maliqit kanë blerë zjarrfikëse të reja për shkak të rrezikut nga zjarret në këto temperatura të larta. Megjithatë sipas specialistëve reshjet e shiut, që kanë rënë gjatë muajit korrik e kanë ulur riskun.
Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë kaluar në gjendje gatishmërie shërbimin zjarrfikës të bashkive të Qarkut të Korçës. Korça dhe Maliqi kanë blerë mjete të reja zjarrfikëse, ndërsa Bashkia e Devollit ka ende në përdorim një mjet të vitit 1966.
Juglindja konsiderohet ndër zonat me rrisk të lartë për shfaqjen e zjarreve në pyje dhe kullota edhe pse këtë verë nuk janë evidentuar zjarre të përmasave të mëdha.
Reshjet e rëna gjatë Korrikut kanë rritur nivelin e lagështisë së tokës, duke zvogëluar rrezikun e shpërthimit të vatrave masive.
Koço Çiço, shef i shërbimit zjarrfikës, Korçë: “Po të dalim jashtë qytetit, qoftë në pyll, apo kullota, bari është akoma jeshil, po kjo nuk do të thotë që ne jemi me mendje të fjetur. Gatishmia në mjete e njerëz është e mirë për të përballuar çdo situatë që mund të na paraqitet”.
Sipas shefit të Shërbimit Zjarrfikës pranë Bashkisë Korçë efektivët e këtij shërbimi si edhe logjistika janë në gatishmëri për çdo sinjalizim. Ndërkohë që janë zhvilluar takime me përfaqësues të njësive administrative në lidhje me rrjetin e sinjalizimeve që evidenton dhe përcjell informacion mbi vatrat e zjarrit. Aktualisht, sipas raportimeve nga njësitë vendore, zona e Korçës nuk është e rrezikuar nga zjarret që mund të shkaktohen nga temperaturat, por mbeten problematike, zjarrvëniet e qëllimshme. Me ndarjen e re administrative, Shërbimi Zjarrfikës funksionon tashmë në bazë Bashkie çka bën të mundur një reagim më të shpejtë, duke evituar pasojat e rënda, si për qytetarët, ashtu edhe për mjedisin. /abcnews.al