Super fond, sirena portugeze për Muçin dhe Gilman Lika: Ç’ndodh në Superiore

schedule08:19 - 13 Janar, 2021

schedule 08:19 - 13 Janar, 2021

Merkato në Superiore vijon dhe zërat për transferime të ndryshme janë të pranishme çdo ditë në media. Gilman Lika, mesfushori që mbante shiritin e kapitenit të Vllaznia vjet, kërkohet nga Skënderbeu.

Anësori ka qenë pa ekip në gjashtë muajt e fundit dhe ende nuk e ka mbyllur me futbollin e luajtur. Ofertat e deritanishme nuk kanë qenë në lartësinë e pritshmërive të tij, por sa duket shpejt Likën do e shohim në Superiore.

Në qendër të vëmendjes edhe Ernest Muçi, sulmuesi i talentuar i Tiranës dhe Shqipërisë U21. Sipas asaj që raporton e përditshmja Panorama Sport, portugezët e Braga janë futur në garë për shërbimet e tij.

Ende nuk ka një ofertë zyrtare dhe te Tirana e presin. Më parë bardheblutë kanë refuzuar një ofertë nga belgët e Gent, që ofronin 450 mijë euro, shifër kjo që nuk e kënaq Tiranën.

Këto ditë po lëvizin edhe te Kukësi, që ka vuajtur në prapavijë në ndeshjet e fundit, kurse te Partizani raportohet se është akorduar një fond për 300 mijë eurosh për merkaton e janarit. /abcnews.al