Nga Erblina Mile
Sëmundja e Pishave ose e njohur ndryshe si procesionaria po çon drejt tharjes pyjet nga veriu në jug.Eksperti Agron Qerimi shprehet se përhapja e saj tashmë ka prekur të gjitha zonat ku rriten këto bimësi halore.
“I kam shëtitur të gjitha malet dhe kjo është masive në të gjithë halorët. Ka prekur të gjithë halorët kjo sëmundje”, thotë ai.
Përhapja e procesionares në pyje është shumë e dëmshme edhe për njerëzit, që kur prekin apo bien në kontakt me qimet irrituese të trupit të këtyre larvave, iu shkaktohen reaksione dhe inflamacione dermatologjike.
Rreth 60 përqind e parqeve kombëtare në Shqipëri janë prekur nga procesionarja e pishës. Ndërkohë e kontaktuar nga ABC ,Ministria e mjedisit bën me dije se aktualisht po vijon trajtimi i kësaj sëmundjeje me anë të ndërhyrjes me disa insekte që eleminojnë larvat që shkaktojnë sëmundjen e procesionares.Këto insekte mbahen në laboratorët e Universitetit Bujqësor në Tiranë ndërsa janë siguruar nga ministria e mjedisit të Turqisë. /abcnews.al