Vuçiç mesazh serbëve: Zgjidhja me Kosovën ende larg

schedule18:54 - 8 Gusht, 2018

schedule 18:54 - 8 Gusht, 2018

Duke dërguar përfaqësuesin e tij në Mitrovicë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka informuar komunitetin serb se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende larg, ndërsa ka paralajmëruar se detajet e bisedimeve do të publikohen në shtator, kur do të vizitojë personalisht Kosovën.

Pasi ka siguruar lejen nga autoritetet e Prishtinës, Marko Gjuriç ka vizituar të mërkurën Mitrovicën, ku përfaqësuesve civilë dhe politikë të komunitetit serb u ka premtuar se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, atyre nuk do t’ju mungojë kurrë mbështetja nga Beogradi. “Ajo që dua t’i them çdo serbi nga Mitrovica është se në të ardhmen do të keni më shumë, nuk do t’ju gënjejë askush, nuk do të keni kurrë më pak të ardhura, por më shumë mbështetje nga Serbia”, ka thënë Gjuriç.

Sidoqoftë, më tepër sesa prania e Gjuriç, më e rëndësishme ka qenë lidhja telefonike e presidentit Aleksandar Vuçiç. Vuçiç ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së Kosovës është larg, por ka premtuar se do të luftojë deri në fund. Gjithashtu, kreu i shtetit serb ka paralajmëruar vizitën e tij në Kosovë në muajin shtator, kur dhe do të tregojë risitë e dialogut me Prishtinën. Ndër të tjera, Vuçiç u ka premtuar serbëve se vitin e ardhshëm shteti serb do të bëjë investime të mëdha në infrastrukturën e Kosovës, në veri dhe jug të lumit Ibër. “Do të investojmë para më shumë se kurrë, sepse duam të tregojmë se jemi me njerëzit tanë dhe se do të jemi me ta gjithmonë”, ka thënë Vuçiç. Ai ka shtuar se Serbia nuk do ta zvogëlojë kurrë praninë e saj në veri të Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!