Shkëndija e Tetovës ka bindur portierin Kostandin Zahov për të rinovuar kontratën, edhe pse për portierin Prishtina kishte tentuar ta “joshte” me një ofertë mjaft të mirë në aspektin financiar. “Veterani” ka vendosur të qëndrojë pjesë e kuqezinjve, që i ofruan një kontratë afatgjatë.
NJOFTIMI – “Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Kostadin Zahov. Kryesia dhe gardiani 33-vjeçar kanë gjetur akordin për kontratë të re me kohëzgjatje prej 2.5 viteve.
“Jam i lumtur që do të vazhdoj të përfaqësoj këtë fanellë ku kam arritur sukseset më të mëdha në karrierë. Shkëndija më ka dhënë shumë, por besoj se ja kam kthyer në të njëjtën mënyrë dhe vazhdimi i kontratës tregon se të dyja palët jemi të kënaqura me bashkëpunimin. I entuziazmuar shoh përpara për të tjera suksese”, deklaroi Zahov pasi firmosi kontratën e re me kuqezinjtë.
Dino Zahov u bashkua me Shkëndijën në janar të vitit 2016 dhe derisa po zhvillon sezonin e tij të gjashtë me kuqezinjtë është shndërruar në një prej pikave kyçe të skuadrës. Ai ka regjistruar deri tani 176 paraqitje zyrtare me Shkëndijën, prej të cilave 137 në kampionat, 9 në Kupë dhe 30 përballje në Kupat e Europës. Të gjithë në kampin kuqezi urojmë Zahovin për kontratën e re, me shpresë për suksese të reja në periudhën që pason”. /abcnews.al