Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sqaron se korrigjimi i kufirit do të thotë bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën. Thaçi është i vetëdijshëm për vështirësinë që Serbia ta pranojë propozimin e tij, por thotë se ai respekton kërkesën shumë vjeçare të kosovarëve.
Kreu i shtetit kosovar Hashim Thaçi ka theksuar dhe njëherë se ajo që kërkon është Bashkimi i Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën.
“Po respektoj kërkesat disa vjeçare të shqiptarëve në Preshevë e Bujanovc, nuk nënkupton ndarje dhe as autonomi të serbëve. Mbështes marrëveshjen për krijimin e asocacionit të komunave serbe të firmosur nga presidenti serb Vuçiç dhe ish-kryeministri Isa Mustafa”.
Ai gjithashtu i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit Haradinaj se kufijtë ndryshohen vetëm me luftë.
“Nuk synojmë të ndryshojmë kufij, por korrigjim të 400 kilometrave kufij mes Kosovës dhe Serbisë. Korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën dhe ky korrigjim do jetë transparent. Por dhe korrigjimi do të ketë dakordësi të plotë dhe mbështetje të dyanshme, koha e luftës ka përfunduar”.
Thaçi shtoi se ishte i vetëdijshëm se do ta kishte shumë të vështirë të shtrojë këtë temë në takimin e radhës në Bruksel me palën serbe.
“Për mua do të jetë shumë e vështirë, por thuajse e pamundur që serbët ta pranojnë idenë që dua të propozoj në Bruksel. Është një rast që nuk duhet humbur dhe nëse Serbia pranon do të ishte një mrekulli pasi nuk janë përpjekje të mjaftueshme gjatë këtyre viteve”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kishte mbështetjen e duhur për të realizuar këtë dëshirë, si dhe votat në parlament për ndryshimet e nevojshme kushtetuese ai tha.
“90.6% e shqiptarëve të Kosovës e mbështesin idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës , Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën. Politika duhet të respektojë dëshirën e popullit. Takimi me liderët e tre krahinave dhe kërkesat e tyre më bën të ndryshoj mendimin duke thënë se korrigjimi nuk është më i rrezikshëm si mendoja më parë vetëm Beogradi propagandon teori për shkëmbime territoresh apo ndarje të Kosovës. Askush nuk mund të krahasojë korrigjimin e kufijve apo bashkimin e tre krahinave në Kosovë me ndarje, apo shkëmbime Ndryshimi kushtetues do të ndodhë vetëm për bashkëngjitje territoresh dhe për asgjë tjetër. Nëse kuvendi i Kosovës nuk e bën këtë atëherë lind e drejta e mbajtjes së një referendum për këtë temë”.
Për arritjen e një marrëveshjeje të mundur përfundimtare me Serbinë Thaçi theksoi e Serbia tashmë e ka të qartë se pa normalizim marrëdhëniesh dhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës asnjë nga vendet nuk mund të ecë në rrugën europiane.
“Pa një marrëveshje përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh nuk mund të ecin përpara as Serbia dhe as Kosova. Serbia e ka kuptuar e pa njohur Kosovën, as ajo nuk mund të lëvizë në të ardhmen europiane. E di që marrëveshja mund të jetë shumë e vështirë dhe shumë e rëndë, por është në interesin strategjik të të dyja vendeve dhe të Ballkanit në tërësi”. /abcnews.al