Osmani në Bruksel, takon zyrtarët e lartë të BE-së

schedule16:37 - 11 Janar, 2021

schedule 16:37 - 11 Janar, 2021

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Bruksel, ku do të ketë takime me zyrtarë të Belgjikës, si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Osmani pritet të takojë të martën presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

BE-ja i ka konfirmuar këto takime, por nuk ka dhënë hollësi rreth temave që pritet të diskutohen.

Sipas burimeve të BE-së, pritet që të flitet për situatën aktuale në Kosovë, për procesin zgjedhor, për përballjen me pandeminë e koronavirusit, si dhe për dialogun me Serbinë.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 14 shkurt.

Sa i përket këtij procesi zgjedhor, në BE janë shprehur më herët se presin që ai të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet evropiane.

BE-ja pret që edhe pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se kush do ta formojë Qeverinë e ardhshme, Kosova të vazhdojë përkushtimin për dialog me Serbinë, të cilin e lehtëson vetë BE-ja.

Në takimet e Osmanit me zyrtarë të BE-së pritet të flitet edhe për ndihmën që i ofron Bashkimi Evropian Kosovës në përballje me pandeminë e koronavirusit, e sidomos për përgatitjen për fushatën e vaksinimit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!