Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se ndryshimi i kufijve është një plan i vjetër i Serbisë, që synon ta realizojë duke krijuar trazira në Kosovë. Duke reaguar, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se varianti i tij për korrigjim të kufijve nuk do të sjellë dhunë. Ndërsa BE ka thënë se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë do të arrihet sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dalë kundër ideve për ndryshim të kufijve me Serbinë, që mund të vijë në kuadër të paralajmërimeve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të tyre. Për Veselin, idetë për ndryshim kufijsh janë një plan i vjetër serb që ka marrë fund përgjithmonë në vitin 1999. “Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999”, ka shkruar Veseli në një editorial të publikuar në gazetën “Express”.
Kryeparlamentari ka akuzuar Serbinë se po prodhon lajme të rreme, me qëllim që të nxisë tensione në Kosovë dhe që ta bëjë atë të duket një vend i paqëndrueshëm përpara faktorit ndërkombëtar. “Serbia vazhdimisht ka qenë e interesuar për trazira në Kosovë dhe duke përdorur taktikat e reja të “fake neës” vazhdon të kontribuojë për një klimë të tensionuar”, ka komentuar më tej Veseli. Ai ka shtuar se, Beogradi e prezanton Kosovën si një vend që nga dita në ditë pritet të shpërthejë dhe më pas të shpërbëhet. Por presidenti Hashim Thaçi ka reaguar sërish, duke këmbëngulur në variantin e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë.
Thaçi ka insistuar se varianti në fjalë është paqësor dhe nuk ka të bëjë me ndarje, por me rregullim të kufijve. “Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në vija etnike, por korrigjim i kufirit dhe njohjen e dyanshme”, ka shkruar Thaçi në Twitter. Ndërkohë, zyra e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, në një përgjigje për gazetën “Express” ka deklaruar vetëm se Kosova e Serbia do ta gjejnë vetë rrugën e pajtimit, por duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare./abcnews.al