Duke iu referuar të dhënave të Eurobarometrit për vitin 2018, lidhur me gjendjen ekonomike të shqiptarëve, Partia Demokratike deklaron se Shqipëria është në rrezik. “Me këtë rënie shqiptarët do ta kapin mesataren europiane pas 200 vjetësh”– deklaroi deputetja demokrate Grida Duma.
Janë shtuar shqiptarët me gjendje të keqe ekonomikë. Këtë kanë dalë të thonë publikisht demokratët.
“Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe.
Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe”.
Dhe ndër shkaqet që kanë sjellë këtë situatë sipas deputetes Grida Duma janë rënia ekonomike, papunësia dhe korrupsioni.
“51% e shqiptarëve deklarojnë se janë të përjashtuar nga shoqëria se nuk gjejnë dot punë.
48% e shqiptarëve deklarojnë që problemin më të madh me korrupsionin e kanë në shëndetësi, spitale dhe ilaçe
85% e shqiptarëve besojnë që gjithë pasuria e vendit i ka shkuar pak të pasurve dhe që diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur dhjetëra herë brenda një viti”.
Këtë herë janë faktuar nga Bashkimi Evropian nënvizoi deputetja Duma duke risjellë në vëmendje se janë denonocuar në mënyrë të vazhdueshme edhe nga selia blu.
“Është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe rrezikojmë të ndodhë skenari më i keq për shqiptarët, ai që parashikon BERZH.
Në këtë skenar, theksohet se nëse vazhdohet me këto shifra në rënie, shqiptarët do të arrijnë mesataren europiane në vitin 2220”.
Prandaj që kjo kohë e largët të afrohetm Parti Demokratike ofron një zgjidhje të vetme, largimin e qeverisë Rama. /abcnews.al