Referendum për çështjen e emrit në Maqedoni pritet të mbahet në 30 shtator. Por ndërkohë parti të opozitës, organizata jo qeveritare dhe iniciativa qytetare kanë krijuar shtabin e krizave për të bojkotuar këtë referendum.
Parti, organizata joqeveritare dhe iniciativa qytetare kanë krijuar Shtabin e Krizave që do të drejtojë fushatën “Maqedonia bojkoton”. Memorandumin e bashkëpunimit, që nënkupton bojkotimin e referendumit të ardhshëm, e nënshkruan 28 organizata. Fronti do të kryesohet nga Janko Baçev, udhëheqësi i partisë “Maqedonia e vetme”. Në rrethin e ngushtë të mbështetësve dhe nënshkruesve të dokumentit janë ish-anëtari i shquar i VMRO-DPMNE-së, Filip Petrovski, si dhe ish-presidenti i organizatës së qytetit të LSDM në Shkup, Ljupço Paleski. Baçev në fjalimin e shkurtër paralajmëroi kërkesë llogarie pas ndryshimit të pushtetit me të gjithë ata që ishin pjesë e procesit të negociatave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë.
Janko Baçev në intervistën për televizionin Alsat M pranoi hapur se partia që drejton ai, përfaqëson qëndrime proruse dhe mbron qëndrime që janë strategjike për Qeverinë ruse. Baçevi mbështet idenë se Maqedonia nuk e ka vendin në BE dhe NATO, por në aleancë me Rusinë. Lideri i “Maqedonisë së Vetme” në qershor paralajmëroi se partia e tij do të ndihmojë financiarisht 26 personat që janë arrestuar në protestat para Kuvendit pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë. Kryeministri Zoran Zaev u shpreh i bindur se biznesmenë rusë kanë financuar protestat e dhunshme para një muaji e gjysmë. /abcnews.al