Albion Avdijaj u afrua me bujë te Tirana, por në Superiore nuk ka marrë asnjë minutë. Sulmuesi, i cili në fakt nuk shënonte që prej periudhës që luante në Hungari me Debrecen, firmosi në verë për dy vite me kampionët në fuqi për 110 mijë euro dhe numëron vetëm dy ndeshje në Kupën e Shqipërisë.
Të vetmin gol ai e ka shënuar me Tiranën U21, ndërkohë që në kampin bardheblu tentuan ta ndërprisnin kontratën që para nisjes së kampionatit. Vetë presidenti Halili e ka pranuar se dështuan me afrimin e Avdiajt, i cili çuditërisht mund t’i bashkohet Vllaznisë.
Abcnews.al u vu në dijeni të një skenari të tillë ditën e djeshme dhe tentoi të komunikonte edhe me vetë sulmuesin. Gjithsesi asnjë përgjigje, ndërkohë që në rrjetet sociale e bëjnë të kryer kalimin e tij te kryesuesit e Superiores.
Në verë Vllaznia mori nga Tirana sulmuesin Ismael Dunga dhe tani duket se duan të marrin një tjetër element për ofensivën, i cili ka misionin e vështirë për të treguar se vlen. Te kryeqytetasit nuk e pati atë mundësi dhe po e kërkon gjetkë fatin e tij. Sigurisht duhet zgjidhur kontrata dhe ende nuk ka zyrtarizimin të “divorcit” të Avdiajt me Tiranën. /abcnews.al