Carlo Ancelotti po bën një punë shumë të mirë tek Everton, që renditet në vend të katërt në Premier League. Trajneri italian ka dhënë një prononcim për Radio Uno, aty ku prek disa tema të ndryshme.
“Po kalojmë një moment shumë të vështirë në Premier League, koronavirusi ka shkaktuar probleme në gjithë Anglinë. Rastet pozitive janë shtuar ndjeshëm dhe futbolli po e vuan një gjë të tillë. Sigurisht që ka pasur edhe neglizhencë nga lojtarë të ndryshëm gjatë festave.
Patëm nga 2 mijë tifozë në ndeshjet e fundit shtëpiake, por më pas vendosën t’i mbyllin sërish stadiumet. Futbolli nuk është njësoj me dyer të mbyllura. Serie A? Milan po paraqitet shumë mirë, kjo është e qartë. Ndeshja me Juventusin nuk është vendimtare për titullin.
Maldini ka bërë një punë të shkëlqyer rekrutuese pa pasur shumë burime financiare në dispozicion. Pirlo? Nuk kam ndonjë këshillë të veçantë për të, jam tepër i lidhur me Andrean dhe jam i bindur që do të bëjë mirë te Juventusi.
Vështirësitë janë një gjë normale për një trajner të ri. Jo të gjithë futbollistët e mëdhenj bëhen trajnerë të tillë, por ka raste kur ish-kampionë janë bërë trajnerë madhështorë.
Champions League? Favoritët dihen, janë gjithmonë të njëjta skuadra. Ka rivalitet të madh dhe shumë ekuilibër, por skuadrat e mëdha do të përmirësohen në fazën e dytë të sezonit“, përfundon Carlo Ancelotti. /abcnews.al