Manchester City zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Chelsea. Ekipi i Pep Guardiolës shënoi tre gola brenda 16 minutave dhe fitoi 1-3 në “Stamford Bridge”. Pavarësisht nisjes jo të mirë, “Cityzens” kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit në kampionat.
Vendi i parë është vetëm 4 pikë larg tani, teksa City ka luajtur një ndeshje më pak se kryesuesit e Liverpool dhe Manchester United. Kevin De Bruyne dhuroi një asist dhe shënoi një gol në suksesin e ditës së djeshme.
Fantazisti belg foli për mediat rreth rolit të tij dhe vlerësoi fitoren ndaj ekipit të Lampard. Rivaliteti për titullin këtë sezon në Premier është i madh dhe City ka nisur sulmin drejt kreut. “Kundër Chelsea luajta si numër 10-sh, një pozicion që e kam bërë edhe më parë në karrierë.
Kishim mungesa dhe trajneri më kërkoi të luaja në atë zonë të fushës. Ndaj Chelsea treguam se jemi në gjendje për të fituar ndaj ekipeve të mëdha. Tani duam të ngjitemi sa më shumë në renditje“, deklaron 29-vjeçari belg i Manchester City. /abcnews.al

