“Bërtiste… nuk merr frymë, ka ra, është vrarë”, babai rrëfen si mori vesh vrasjen e djalit në Itali

schedule15:10 - 3 Gusht, 2018

schedule 15:10 - 3 Gusht, 2018

Familjarët e Viktorjan Picakut, 24 vjeçari, që u vra në Itali nuk e kanë idenë se çfarë ndodhi me djalin e tyre. Ata thonë se i biri ishte me vëllain tjetër kur u vra, por nuk kanë mësuar asgjë se cila ka qenë arsyeja e vrasjes së Viktorjanit. Djali tjetër i tyre është në gjendje të rëndë mendore nga ajo që ka parë. Ata i kërkojnë ndihmë shtetit për të sjellë trupin në Shqipëri.

Familjarët e Viktorjan Picakut, 24-vjeçari që u vra nga dy persona në sheshin “Abbazia” në Corato të Italisë, janë të shokuar.

I ati i viktimës Lekë Picaku, me origjinë nga Mirdita dhe me banim në Durrës tregon momentin e parë kur mësoi se i biri ishtë qëlluar për vdekje. Aty pranë kishte dhe vëllain. Ai thotë se ky lajm i hidhur mbërriti pikërisht ditën kur do të kremtonin ditëlindjen e mbesës.

Ishte vetëm një telefonatë…

“Bërtiste… nuk merr frymë, ka ra, është vrarë. S’kisha çfarë t’i thosha më. Unë e kuptova faktikisht se derisa nuk po flisnin…”, thotë i ati i viktimës, Lekë Picaku.

Picaku, babai i katër fëmijëve, dy djemve dhe dy vajzave, nuk di të thotë shumë mbi arsyet e krimit. Djali i madh i vetmi dëshmitar ndodhet ende i traumatizuar.

Pyetje: “Di se çfarë ka ndodhur, për çfarë ka ndodhur. Cfarë ju ka thënë djali tjetër”?

Babai: “Pasha Zotin, djali tjetër nuk ka thënë gjë fare, se ai po kalon fare. Po kaloi shumë do bëhen dy kufoma. Është traumatizuar, nuk fol fare. Nuk e kupton gruan, njerëzit që i ka pranë”.

Familja Picaku, e vendosur prej 24 vitesh në zonën e ish-Kënetës në Durrës, e cila  jeton në kushte të vështira ekonomike, bën apel për ndihmë pasi e kanë të pamundur të sjellin trupin në atdhe.

“Të më vijë fëmija, kufoma. Ta varrosim, mos të kemi mort përditë”, tha i ati i viktimës.

Sipas familjarëve 24-vjeçari jetonte në Itali prej dy vitesh tek i vëllai. Një version i mediave italiane është që i riu shqiptar u vra, ndërsa ishte duke mbrojtur një vajzë të cilën po e ngacmonin dy autorët./abcnews.al