Gjatë një konference për mediat, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur sërish për kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë. Pas shumë zërave dhe kritikave ndaj deklaratave të tij të mëparshme, kreu i shtetit kosovar theksoi se Beogradi nuk do të pranojë një korrigjim të kufijve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtyp i ëshët rikthyer dhe njëherë temës së ndryshimit të kufijve, me termin korrigjim të kufijve. Pas akuzave të ditëve të fundit, kreu i shtetit kosovar u shpreh se subjektet politike që po e sulmojnë janë ata që duan që Presheva, Bujanovci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.
Por paralelisht ai theksoi se ka pak mundësi që Serbia të jetë dakord për këtë. Madje ditë më parë përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, në zyrën e tij, u tha se respekton integritetin territorial të Serbisë. Thaçi tha se qëndrimet e Beogradit për ndarje dhe shkëmbim të territoreve nuk janë ide të tij dhe se janë kategorikisht kundër parimeve të tij.
“Qëndrimet e Beogradit për ndarje dhe shkëmbim të territoreve nuk janë fare me idetë e mia dhe janë kategorikisht kundër parimeve të mia. Kosova realizon takime me Serbinë vetëm si vend sovran dhe ç’ka parashtron Serbia unë nuk marr përgjegjësi, unë flas vetëm në emër të qytetarëve të vendit tim”, tha ai.
Presidenti i Kosovës shtoi se korrigjimi i kufijve është diçka e mundshme, por Serbia vazhdon të refuzojë kategorikisht këtë gjë./abcnews.al