Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite të zhvilluar në spitalin Universitar të Traumës, deklaroi se janë vendosur ekipe shtesë për përballimin e urgjencave mjekësore.
“Ekipet shëndetësore në gjithë sistemin tonë, qoftë ato të Urgjencës Kombëtare, qoftë të spitaleve tona që nga ato universitare deri tek rajonalet, bashkiaket do të jenë me ekipe të përforcuara për të përballuar çdo emergjencës që mund të kemi. Do të kemi në sistemin e Urgjencës Kombëtare 100 ekipe, të cilat janë të shpërndara në terren në postacione për të mbuluar çdo emergjencë në kohë dhe me cilësi.
Nga ana tjetër të gjithë sistemet dhe strukturat e urgjencave në spitale por edhe të shërbimeve në spitale do të jenë të përforcuara, duke organizuar punën me shërbimin “on call”, pra të mjekëve të cilët do të jenë të gatshëm, nëpërmjet sistemit të thirrjeve për çdo emergjencë që mund të ketë në spitalet tona”, tha Manastirliu.
E ndalur tek emergjencat Manastirliu tha se janë marrë masat për të përballuar situatat problematike, ndërsa shtoi se nuk do të lejohen grumbullime në sheshe.
“Për kryeqytetin do të kemi 9 ekipe të urgjencës, të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare si edhe janë siguruar materialet mjekësore, barnat e nevojshme për të përballuar çdo situatë emergjence, qoftë në kuadër të emergjencave, aksidenteve apo problematikave që mund të sjellin festimet e fundvitit”, tha Manastirliu.
/abcnews.al/