Iker Casillas është një nga portierët më të mirë të 20 viteve të fundit. Spanjolli fitoi gjithçka me Real Madrid dhe kombëtaren iberike, teksa tani ka nisur punën si këshilltar i presidentit Florentino Perez te “Los Blancos”.
Ditën e djeshme u nderua me çmimin e karrierës ” Globe Soccer Award” në Dubai. 39-vjeçari ka prekur tre tema në prononcimin e fundit. Në fillim e nis me Atalantën, kundërshtarin e Realit në raundin e 1/8 në Champions League.
“Atalanta është një kundërshtar i vështirë, sezonin e kaluar arritën deri në fazën ‘Final Four’ falë një futbolli shumë të shpejtë. Për pak eliminuan PSG në çerekfinale. Me pak fjalë, janë një kundërshtar i frikshëm.
Ata po luftojnë me skuadrat më të mira italiane për fitimin e titullit dhe kualifikimin në Champions League. Nuk janë më surprizë“, deklaron Casillas, i cili nis e flet edhe për Gianluigi Buffon, portierin legjendar të Juventusit si dhe CR7.
Me homologun italian ka pasur gjithmonë një vlerësim reciprok dhe raport fantastik. Buffon feston 43-vjetorin e lindjes në muajin janar dhe nuk ka ndërmend të ndalet. “E kam zili Gigin. Nuk po më befason, edhe unë do të luaja deri në atë moshë po të kisha mundësi.
Përderisa një lojtar ndihet mirë dhe argëtohet si dikur, është e drejtë të vazhdojë të luajë edhe në moshë madhore. Ai mbetet një shembull për të rinjtë. Gigi është një shembull për të gjithë, sidomos për portierët.
Juventus? Një skuadër që ka Cristiano Ronaldon në përbërje është gjithmonë favorite për fitimin e Champions League. E njoh mirë, e kam pasur shok skuadre te Reali. Një mik i madh dhe lojtar i frikshëm. Po thyen rekorde, por jep gjithçka për të fituar me Juven dhe jam i lumtur me të“, përfundon Casillas. /abcnews.al