Trendi i aksidenteve rrugore me vdekje ka ardhur në ulje në muajin Korrik. 11 persona humbën jetën, ndërsa kjo shifër ka qenë 22 në 2017. Problem sipas Policisë Rrugore mbetet përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e automjeteve, ku u pezulluan 50 për qind leje drejtimi krahashuar më shumë krahasuar me Korrikun e 2017.
Aksidentet rrugore vijojnë të jenë një ndër shkaktarët kryesor të vdekjeve në Shqipëri. Por ndryshe nga gjashtë muajt e parë të 2018, Korriku është muaji që kishte edhe numrin më të vogël të aksidenteve me vdekje në rrugët e vendit tonë.
Sipas shifrave zyrtare të Policisë Rrugore, nga 1 deri në 31 Korrik kanë vdekur 11 persona. Kjo shifër është 50 për qind më ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total kanë ndodhur 118 aksidente në një muaj. 12 u plagosën rëndë dhe 129 të tjerë lehtë. Edhe kjo shifër rezulton më mirë krahasuar me korrikun e 2017, pasi ndodhën 199 aksidente dhe mbetën plagosur rëndë 44 persona dhe 202 u lënduan.
Muaji që mban numrin më të lartë akisdenteve me vdekje ka qenë Qershori i 2018-s, pasi 20 persona humbën jetën nga 12 që ishte një vit më parë.
Ajo që vihet re nga shifrat e publikuara nga Policia e Shtetit është se, pavarësisht nga aksionet dhe fushatat për ndërgjegjësimin që të mos përdorin pije alkoolike nga drejtuesit e automjeteve, kjo shifër sa vjen e rritet.
Kështu, në Korrik u pezulluan 163 leje drejtimi, pasi shoferët kishin konsomuar alkool mbi normën e lejuar, ndërsa në 2017-n kjo shifër ka qenë 84, duke duke pësuar një rritje prej 50 për qind.
Ndërkohë Policia Rrugore nuk ka kursyer as drejtuesit e automjeteve që përdorin celularin kur janë në timon si edhe nuk vendosin rripin e sigurimit. Vetëm gjatë muajit Korrik 2018 u vendosën 7518 gjoba. Në 2017 kjo shifër ka qenë edhe më lartë me 11.683 masa administrative.
Në gjashtë-mujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ishte 98 nga 105 që u regjistrua në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas specialistëve, aksidentet rrugore, në 80 për qind të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e gabimit të drejtuesve të mjeteve, teksa grupmosha që ka kryer më shumë aksidente janë nga 25 deri në 35 vjeç./abcnews.al