Presidenti i Kosovës ka komentuar raportimet e mediave, se ai do të negociojë në Bruksel me homologun serb lidhur me shkëmbimin e territoreve. Sipas Thaçit këto janë lajme false që nxisin konfuzion tek opinioni publik.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi bëri homazhe te varri i aktivistit të njohur, Adem Demaçi, ka folur edhe për raportimet e ndryshme për idenë e shkëmbimit të territoreve mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai nënvizoi se institucionet e Kosovës dhe të gjitha partitë duhet të punojnë për një konsensus të madh dhe të vazhdojnë procesin e dialogut me Serbinë mbështetur nga BE dhe SHBA.
“Nuk komentoj opinionet e mediave, opinione që s’kanë adresë. Qëllimi ynë është njohja në fund të procesit. Kemi opinione të ndryshme dhe ka “fake neës” të shumta që po e fusin në konfuzion opinion publik”, tha Hashim Thaçi.
Më tej, Thaçi tregoi edhe njëherë çfarë synon të arrij si përfaqësues i Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Do të punoj fuqishëm me të gjithë në Kosovë që marrëveshja të ndodhë mes dy vendeve të pavarura, njohje formale dhe anëtarësim të Kosovës në të gjitha organizata. Kosova është e pavarur. I kemi hyrë këtij procesi me përgjegjësi. Kosova është e sigurt në sukses. Kjo nuk është garë për të mundur njëri tjetrin, por proces që duhet përmbyllur në përputhshmëri me BE dhe SHBA”, tha ai.
Ndërkohë, sipas mediave të Prishtinës, komuna më veriore e Kosovës- Leposaviçi bashkë me Leshakun mund të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë e Bujanocit. Pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe liqeni më i madh artificial që gjendet në veri të Kosovës, Gazivoda./abcnews.al