6 prej 9 të arrestuarve si pjesë e grupit që trafikonte persona kundrejt pagesës në Angli dhe SHBA janë lënë në burg. Për dy prej tyre, Gjykata e Shkodrës vendosi arrest shtëpie, ndërsa një tjetër u la me detyrim paraqitje.
Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për 9 personat që u arrestuan në operacionin “Garantuesi” . Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte persona kundrejt pagesës në Angli dhe SHBA. Trupi gjykues vendosi që koka e grupit, Gazment Garupi, nga Shkodra dhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë të qëndrojnë në qeli.
Dy në arrest shtëpie përkatësisht Bledjan Ramadani dhe Eduart Shima, ndërsa për Tonin Shtjefnin, gjykata la masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Mendohet se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët po kërkohen nga policia. Grupi pajiste persona të ndryshëm me dokumente të huaja dhe nga përdorimi i tyre realizonte kalimin për në Angli dhe SHBA.
Të ndaluarit u ofronin personave të interesuar shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë. Për këtë shërbim ata merrnin 8000 deri në 12.000 euro.
/abcnews.al