Një stuhi e fuqishme ka goditur përsëri rajonin e Atikës në Greqi. Mediat raportojnë për përmbytje në disa zona dhe për probleme me energjinë elektrike.
Fatkeqësitë natyrore nuk largohen nga Greqia. Ashtu si para disa ditëve, rajoni i Atikës është goditur përsëri me një stuhi të fuqishme me reshje të dendura shiu dhe breshëri. Kjo situatë ka krijuar probleme të shumta për qytetarët, ndërsa erërat e forta kanë shkaktuar dhe dëme materiale. Disa rrugë në veri të Athinës janë përmbytur.
Qeveria ka bërë thirrje që të shmanget lëvizja e qytetarëve dhe u ka kërkuar atyre të qëndrojnë brenda banesave, deri në qetësimin e situatës. Megjithatë për meteorologët, kjo situatë e pazkontë për këtë muaj të vitit, do të vijojë për disa ditë. Madje nënvizohet se pritet dhe një përkeqësim i mëtejshëm i motit.
Ndërkohë, departamenti i zjarrfikësve njofton se ka marrë mbi 20 telefonata për pompimin e ujit që ka hyrë në disa banesa. Për shkak të stuhisë janë raportuar edhe probleme të shumta me furnizimin me energji elektrike./abcnews.al