Ndryshimi i orarit të karantinës ka boshatisur rrugët e qytetit të Beratit. Forca të shumta policie janë vendosur në çdo aks rrugor e lagje.
Ora 20:30 e mbrëmjes së sotme i ka gjetur rrugët e qytetit të Beratit totalisht të boshatisura dhe baret e restorantet të mbyllura, ndërkohë që të gjitha rrugët e qytetit janë blinduar nga forca të shumta policie.
Ashtu siç edhe u vendos nga Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e orarit të karantinës, baret dhe restorantet në Berat mbyllën qepenat disa minuta përpara orës 20:30, për të respektuar masat e vendosura, si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Ndërkohë në qytet vijojnë të jenë të hapura vetëm shërbimet “delivery”.
Përveç efektivëve të policisë, në rrugë qarkullojnë vetëm punonjësit e shërbimeve spitalore dhe autoambulancat.
Qytetarët në Berat e kanë respektuar “karantinën” dhe i janë drejtuar banesave të tyre, duke rikthyer “heshtjen” dhe “qetësinë” në çdo rrugë të qytetit.
/abcnews.al/