Hyn në fuqi regjimi i ri i lëvizjes, policia blindon qytetet: Kontrolle për kapjen e shkelësve

schedule21:24 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 21:24 - 24 Dhjetor, 2020

Ka filluar pak më parë regjimi i ri i lëvizjes në Shqipëri për shkak të masave anti-Covid. Siç raportojnë korrepondentët e ABC, rrugët e qyteteve të vendit janë mbushur me policë, të cilët po ndalojnë makinat që thyejnë vendimin.

Berat, makina të policisë janë duke patrulluar në rrugë, ndërsa në Vlorë është ngritur postbllok me qëllim kontrollin e makinave që lëvizin ende. Një situatë e ngjashme është duke u përjetuar në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe rrethe të tjera.

Komiteti Teknik vendosi 3 ditë më parë që duke nisur nga sonte në 20:30 lëvizja të kufizohet akoma më shumë.

Kështu nga ora 22:00 që ishte më parë ora policore sonte duhet të futemi në shtëpi që në 20:30 për të rinisur aktivitetin të nesërmen në 06:00. Nga ky rregull bëjnë disa përjashtime. Këto masa do të jenë për festat, ndërsa prej datës 5 Janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, por ashtu edhe i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve.

“Ju rikujtojmë gjithashtu se nga sot hyjnë në fuqi masat e reja të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që kanë të bëjnë me:

Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 6 të mëngjesit duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.

Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.

Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 6 duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Duke përjashtuar shërbimin në banesë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për t’u referuar për testim, ndjekje të vazhdueshme dhe për rimbursimin e barnave të trajtimit ambulator në banesë. Nëse nuk e dini cili është mjeku juaj i familjes, telefononi linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për ta mësuar dhe për t’u vendosur në kontakt me mjekun tuaj të familjes.

Gjithashtu është në dispozion 24 orë në 7 ditë të javës numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare, ku mund të telefononi kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID” deklaron Ministria e Shëndetësisë.

Në 24 orët e fundit janë shënuar 8 humbje jete dhe 510 raste të reja me koronavirus nga 2198 testime, ndërsa të shëruarit janë 477./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!