SPAK dhe Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u ngritën si struktura të posaçme për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes. U shpallën me bujë të madhe nga qeveria dhe ambasadorët.
Të gjithë filluan të besojnë se, së shpejti politika shqiptare do të pastrohet nga peshqit e mëdhenj dhe se vendi ynë do të hynte menjëherë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, të shtunën me 19 dhjetor 2020, SPAK publikoi bilancin e një viti punë, ku evidentohet se nga 1 janari I këtij viti deri në 19 dhjetor janë regjistruar 343 procedime me 433 persona nën hetim. 81 persona janë nën hetim për krimin e organizuar, 183 janë për korrupsion dhe 171 për vepra të tjera penale.
Gjatë këtij viti SPAK bëri të mundur zbardhjen e dy vrasjeve të 15 viteve më parë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. U arrestuan emra të njohur të botës së krimit , ndërsa u shapll në kërkim Lulzim Berisha. Gjithashtu nën hetim janë disa tendera të zhvilluara nga disa ministri dhe disa kontrata konçesionare të dhëna nga qeveria. Por deri në këtë momente jemi vetëm tek shifrat pasi viti i parë i punës së SPAK do të mbahet mend për dënimin e disa qytetareve që kanë bërë korrupsion me shifrën 1 mijë lekë të reja, por asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është pas hekurave.
Pavarësisht shifrave e numrit të madh të çështjeve që duket se na jepen si statistikë, dihet se pas hekurave nuk ka asnjë zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion. Ndërkohë që shifrat e korrupsionit shtetëror në raportet ndërkombëtare janë gjithnjë në rritje.
Çfarë e pengoi SPAK-un? Arsyet pse nuk ka funksionuar, mund të lidhen me presionin e politikës, të paktën kështu mendojnë juristë e ish-prokurorë.
Gent Ibrahimi, drejtues i Këshilli të lartë të Prokurorisë thotë për Vetting se mosngritja e BKH-së e ka penguar punën e SPAK.
“SPAK-ut sot që flasim i mungon forca e specializuar policore, e cila merret merret kryesisht me hetimin. Në praktikën, në punën e prokurorisë, pjesa më e madhe e punës hetimore bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore dhe ky është një model i cili, padyshim do të shfaqet edhe në punën e SPAK-ut. Ndonëse natyra e veprave penale që heton SPAK, është e tillë ku prokurori priret të jetë më aktiv. Sidomos në rastin e korrupsionit është në hetim, sesa është në vepra të tjera penale. Por, fakti mbetet që forca e specializuar policore ende nuk është aktive dhe për pasojë është e drejtë të arsyetosh se kjo e ka lënë pasoja mbi rendimentin dhe cilësinë e punës së Prokurorisë së Posaçme.” /abcnews.al/