Koreja e Veriut respekton marrëveshjen Trump-Kim Jong Un

schedule11:39 - 27 Korrik, 2018

schedule 11:39 - 27 Korrik, 2018

Koreja e Veriut vijon të respektojë marrëveshjen e dakordësuar në samitin e Singaporit me Shtetet e Bashkuara. Regjimi i Phenianit ka dorëzuar eshtrat e disa ushtarëve amerikanë të rënë gjatë luftës në gadishullin korean.

Eshtrat e disa amerikanëve të vrarë gjatë Luftës Koreane u kthyen në SHBA nga regjimi i Phenianit. Një aeroplan ushtarak amerikan i Forcave Ajrore i transportoi ato në bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut me rastin e 65-vjetorit të armistikës që përfundoi konfliktin. Për të mirëpritur avionin, në aeroport doli një turmë prej disa mijëra ushtarësh amerikanë të vendosur në Korenë e Jugut, së bashku me familjet e tyre.

Shkëmbimi tregon se si të paktën pjesërisht marrëveshja e arritur në Singapor midis Donald Trump dhe Kim Jong-un fillon të funksionojë dhe të japë rezultatet e para.

“Sot është një hap i rëndësishëm i parë për të nisur riatdhesimin e eshtrave nga Koreja e Veriut dhe rifillimin e kërkimit për përafërsisht 5.300 amerikanëve që nuk u kthyen kurrë në shtëpi”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Iniciativa u vendos gjatë samitit historik midis Presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve që ranë gjatë konfliktit midis 1950 dhe 1953 ishte një pikë e marrëveshjes së nënshkruar midis dy krerëve të shteteve që synonin arritjen e paqes dhe denuklearizimin e plotë të gadishullit Korean. Më shumë se 35 mijë ushtarë amerikanë humbën jetën në gadishull gjatë luftës Koreane. Dhe sipas të dhënave të Pentagonit 7.700 prej tyre rezultojnë të zhdukur, prej të cilëve 5.300 vetëm në Korenë e Veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!