Robin McKie, The Guardian
Viruset pësojnë mutacion gjatë gjithë kohës. Mirëpo, shumica e varianteve të reja ‘shuhen’. Ndonjëherë ato përhapen pa ndryshuar ‘sjelljen’ e virusit. Herë të tjera, ato pësojnë ndryshime dramatike.
Por ka disa pyetje qe po mundojnë shkencëtarët:
-A është varianti VUI-202012/01 pjesë e kësaj kategorie?
-A paraqet një rrezik të shtuar shëndetësor?
– A është përhapur shpejt ky variant i ri i koronavirusit në Angli për shkak se njerëzit po injorojnë rregullat e Covid-19?
Këto pyetje kryesore u diskutuan javën e kaluar dhe pati shumë diskutime, kur sekretari i shëndetësisë, Matt Hancock zbuloi ekzistencën e variantit të ri.
“Lloji i ri i virusit mund të përhapet më shpejt. Ne kemi diskutuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe po vazhdojmë të analizojmë të dhënat që kemi në dispozicion për të përmirësuar vlerësimin tonë”, u shpreh Whitty.
Këto të dhëna do të shtyjnë shkencëtarët të prodhojnë llojin e ri të virusit në laboratorë, duke studiuar përgjigjet e antitrupave të variantit dhe të testojnë reagimin ndaj vaksinës anti-COVID-19.
Për më tepër, zyrtarët shëndetësorë tani po kryejnë renditjen e rastësishme të mostrave nga rastet pozitive në të gjithë vendin në mënyrë që të vëzhgojnë përhapjen e llojit të ri në të gjithë vendin, si dhe për të ndërtuar harta rajonale të përhapjes. Kjo do të zgjasë të paktën dy javë.
Shfaqja e variantit të ri është alarmante – megjithëse duhet të theksohet se ka pasur disa mutacione të mëparshme të COVID-19 Muajin e kaluar, qeveria daneze vrau miliona vizonë pasi qindra raste me COVID-19 ishin të bartura nga vizonët e fermave.
Dhe në muajin tetor, analizat sugjeruan një variant të koronavirusit që filloi nga punëtorët spanjollë të fermave duke u përhapur me shumë shpejtësi në Europë.
Ato që shkencëtarët tani duhet të trajtojnë janë shqetësimet në lidhje me ndikimin e variantit të ri – në veçanti nëse kjo do të çojë në një rritje të rasteve të sëmundjes së rëndë me COVID-19 ose do të rezultojë në më pak raste.
Çështja tjetër është nëse vaksinat do të funksionojnë në variantin e ri të koronavirusit.
“Nëse varianti i ri do të kishte një ndikim të madh në ashpërsinë e sëmundjes, ne do ta kishim parë atë deri tani”, tha Ewan Birney, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Laboratorit Europian të Biologjisë Molekulare dhe drejtor i përbashkët i Institutit të saj Europian të Bioinformatikës në Kembrixh.
“Shtrimet në spital do të ishin rritur ose do të binin në mënyrë dramatike. Asnjëra nuk ka ndodhur, kështu që ne arrijmë në përfundimin se ndikimi në numrin e rasteve të rënda ka të ngjarë të jetë modest; pak më shumë ose pak më pak”, u shpreh ai.
Përveç kësaj, Birney tha se vaksinat janë testuar në shumë variante të virusit që qarkullojnë.
“Pra, kemi të gjitha arsyet për të menduar se vaksinat do të funksionojnë kundër këtij lloji të ri, megjithëse padyshim që duhet të testohet plotësisht”, theksoi eksperti.
Ende nuk dihet saktësisht se ku u shfaq për herë të parë varianti. Një nga arsyet mund të jetë që sistemi jashtëzakonisht i fuqishëm i mbikëqyrjes së virusit të Britanisë e zbuloi ata para se ta zbulonin vendet e tjera.
Ekspertët e Bashkimit Europian kanë arritur në përfundimin se vaksinat aktuale anti-COVID-19 janë efektive kundër llojit të ri të koronavirusit.
“Në bazë të çdo gjeje që ne dimë dhe sipas diskutimeve të ekspertëve europianë, lloji i ri nuk ndikon te vaksinat dhe ato janë efektive”, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Ai foli në veçanti për efektin e vaksinës Pfizer/BioNTech, e cila tashmë po përdoret në disa vende të botës dhe së shpejti do të merr aprovimin nga Agjencia Europiane e Barnave. /abcnews.al