Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë informuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë që mutacioni i koronavirusit, i gjetur në juglindje të vendit, mund të qarkullojë më shpejt se i vjetri. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një variant që përhapet 70% më shpejt, por që deri më tani nuk rezulton më vdekjeprurës.
Ekspertët e OBSH-së thanë se së fundi janë zbuluar raste të të njëjtit mutacion edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi. Ndërkaq, shumë vende europiane përfshirë Gjermaninë, Danimarkën, Belgjikën, Holandën, Irlandën etj., kanë pezulluar transportin tokësor dhe ajror me Britaninë e Madhe deri në qartësimin e plotë të veçorive të mutacionit të ri.
Londra dhe rajoni juglindor i Anglisë janë rikthyer mbylljes totale në prag të festave, për të frenuar edhe më tej përhapjen e virusit.
Kryeministri britanik, Boris Johnson bëri të ditura masat e reja të nivelit 4 që do të aplikohen për vendin. Në total, rreth 38 milion persona në Angli, ose 68% e popullsisë jetojnë tashmë në zona alarmi.
Ekspertët janë të shqetësuar sidomos për faktin që qarkullimi i një varianti të koronavirusit me një ritëm më të shpejtë infektimi mund të shtojë ndjeshëm numrin e personave që kanë nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Ndërkohë, zyrtarë e vendeve të BE do të zhvillojnë të hënën në mëngjes një komunikim për të diskutuar një përgjigje më të koordinuar. Varianti i ri është përhapur shpejt në Londër dhe Anglinë jug-lindore. Vendi të dielën njoftoi një rritje ditore prej më shumë se 13,000 rastes, një rekord i ri, pavarësisht masave të ashpra të bllokimit që po zbatohen që prej në 14 dhjetorit, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
Lexo edhe: Alarm në Itali, konfirmohet rasti i parë me variantin britanik të Covid-19
Varianti i ri u zbulua për herë të parë në shtator dhe në nëntor përbënte rreth një të katërtën e rasteve në Londër. Ndërkohë, arriti gati dy të tretat e rasteve në mes të dhjetorit.
Rasti i parë i variantit britanik është zbuluar gjithashtu në Itali, njoftoi të dielën ministria italiane e shëndetësisë. Pacienti është izoluar së bashku me familjen në Romë. g.v/abcnews.al