Dy fëmijë nga Fieri të të njëjtës familje, të moshës 10 dhe 13 vjeç u shtruan në spitalin pediatrik Agia Sofia të Athinës. Lajmin e bëri të ditur në njoftimin e fundit në rrjetin social Facebook, ambasada shqiptare në Athinë.
ABC News mësoi se fëmijët janë shpëtuar nga zonja greke e shtëpisë, ku punonte nëna e tyre. Ajo i ka mbajtur 4 orë në breg të detit, deri në mbërritjen e varkës së shpëtimit. Të vegjlit ishin të traumatizuar, por në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet që sot të lenë spitalin.
Ambasada jonë në Athinë konfirmon njoftimin e mëhershëm, se në spitalin Evangelismos ndodhet e lënduar lehtë një shtetase shqiptare. ABC News ka mësuar se bëhet fjalë për 63-vjeçaren nga Berati me inicialet B.XH, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ambasada bën të ditur se ditët në vijim, pritet një konfirmim zyrtar nga autoritetet greke, për identifikimin e viktimave të kësaj tragjedie, diplomatët shqiptarë në Greqi, janë në ndjekje të situatës duke komunikuar në vijimësi zyrën e Emergjencave Civile dhe autoritetet e tjera kompetente./abcnews.al