“Ça ju kena bo”! Shkodrani me flamurin kuqezi dhe të BE-së në dorë: Po na rreni me qindarka

schedule12:47 - 19 Dhjetor, 2020

schedule 12:47 - 19 Dhjetor, 2020

Sot Shkodra u rikthye në protestë. Një grup qytetarësh mesditën e sotme u mblodhën në qendër të qytetit me pankarta dhe thirrje duke protestuar për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Përpos kërkesës për dorëheqjen e Ardi Veliut, drejtorit të Policisë së Shtetit, njëri prej qytetarëve tha se tubime duhet të ketë cdo ditë për të sensibilizuar qeverinë për problemet.

U bëj thirrje qytetarëve të marrin pjesë cdo ditë në protestë për hallet problemet dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Nuk jam në mbështetje të dhunës, por duhet me sensibiliuar qeverinë për hallet dhe problemet e popullit” tha një qytetar. Një grua tha se “Nuk kam frikë” edhe pse ishte proceduar më parë.

Një i moshuar me flamurin e BE-së dhe Shqipërisë në duar, ishte mjaft i irrituar dhe përpara efektivëve të policisë që ishin në gatishmëri për të shmangur incidentet kishte disa fjalë që shkonin për politikanët. “O kriminelë, cfarë drejtësie keni ju? Jena pa pensione, na rreni me qindarka dhe doni me shkuar në Europë. Mos u talleni me ne”.

Nga protesta u shoqëruan dy të rinj, të cilëve policia u gjeti gjatë kontrollit një shishe me benzinë. “Poshtë shteti, ça ju kena bo” ishin fjalët e njërit prej tyre, ndërsa njëri prej efektivëve u drejtohet kolegëve “Futu, futu, shpejt, shpejt” për t’i dërguar në komisariat.

Ndryshe nga tubimi i pak ditëve më parë ku u bastis selia e PS-së në Shkodër, sot protesta u mbyll pa incidente. Klodian Rasha u ekzekutua nga një efektiv policie në datë 8 dhjetor pranë shtëpisë.

Ngjarja u pasua me protesta të shumta dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, por protestuesit kërkojnë edhe largimin e Ardi Veliut./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!