Kukësi po gëzon një formë shumë të mirë, ka fituar pesë ndeshjet e fundit në kampionat dhe renditet në vend të dytë, tre pikë larg Vllaznisë kryesuese. Ekipi i Skënder Gegës do të luajë nesër në transfertë kundër Kastriotit, teksa shpresohet që kuqeblutë të ndalen në Laç.
Kapiteni i ekipit verilindor, Agim Ibraimi ka folur rreth situatës në skuadër. Kukësi e nisi sezonin jo mirë, humbi dy takimet e para dhe goleadori nga Tetova flet se çfarë ndikoi te kthesa pozitive.
“Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Humbjet në fillimin e kampionatit ishin një mësim i fortë dhe i mirë për ne. Nuk e humbëm harmoninë dhe besimin që kishim te njëri-tjetri. Pas atyre ndeshjeve, i zbatuam me sukses rregullat dhe detyrat që na dha profesori.
Jemi në rrugën e duhur, por nuk do të thotë kjo se kampionati ka mbaruar. Duhet marrë çdo ndeshje me shumë seriozitet dhe të synojmë për objektivat që ka klubi. Jemi mjaft grup i mirë, kemi bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet vetes dhe besoj në sukseset e ardhshme“, përfundon Ibraimi. /abcnews.al