Teksa po e heton për 4 vepra penale, Prokuroria për Krimet e Rënda i jep një goditje të fortë ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla. Me kërkesë të saj, Gjykata e Krimeve ka vendosur nën sekuestro gati 1 miliard lekë pasuri të patundshme të Llallës.
Prokuroria për Krimet e Rënda i ka dhënë një zhvillim të papritur hetimit të nisur ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla. Përmes një kërkese të saj, Gjykata e Krimeve ka vendosur nën sekuestro disa pasuri të Llallës, që në total kapin vlerën e gati 1 miliard lekëve të vjetër. Sipas një njoftimi zyrtar të Prokurorisë, pasuritë në fjalë përbëhen nga një apartament në Durrës dhe katër troje në Tiranë.
Kërkesa e prokurorëve të Krimeve për ngrirjen e pasurisë së ish-shefit të tyre, Llalla, ka lindur për shkak të krijimit të dyshimeve të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të tij janë produkt i veprave penale për të cilat ai akuzohet.
Pas pranimit të kërkesës nga Gjykata, të hënën Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të ish-drejtuesit të organit qëndror të Akuzës.
Kjo lëvizje e fortë e Prokurorisë vjen në muajin e katërt të hetimit të nisur ndaj Llallës. Ish-kryeprokurori dyshohet të ketë konsumuar katër vepra penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurise”, “mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim parash” dhe “shpërdorim të detyrës”. Procedimi penal ndaj tij u regjistrua në 15 Mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më tej hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Pas përfundimit të mandatit të kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqje nga detyra vendim që e shpëtoi atë edhe nga procesi i Vettingut. /abcnews.al