Protesta, Ballanca në ABC: Numri i shoqërimeve i lartë, policia të sqarojë ushtrimin e dhunës

schedule14:59 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 14:59 - 16 Dhjetor, 2020

Numri i të shoqëruarve gjatë ditëve të protestave për vrasjen e Klodian Rashës ishte i lartë, përtej kapaciteteve të komisariateve. Kështu u shpreh Avokatja e Popullit Erinda Ballanca në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC.

“Kemi verifikuar se numri i të shoqëruarve ka qenë shumë i lartë, aq sa kanë tejkaluar kapacitetet. Shumë persona janë shoqëruar për kundravajtje penale. Komisariatet ishin mbushur tre apo kater herë më shumë se kapaciteti.”

Po ashtu, zonja Ballanca tha se nga verifikimet e bëra nga ky institucion rezulton se dhuna nuk është ushtruar në komisariate, por gjatë shoqërimeve.

“Në baze të ligjit për tubimet, forca e përdorur nga policia duhet të jetë minimale. Këtë çdo polic, të na shpjegojë nëse ajo lloj force ishte minimale.”

Ndërsa, sa i përket arrestimeve të bëra nga policë të veshur civilë, Ballanca tha se këtu kemi të bëjmë me shkelje të kompetencave për ata që kanë për të shoqëruar persona. Sipas saj, duhet një identifikim i qartë i tyre.

“Ata që shoqërojnë duhet të identifikohen qartësisht që janë policë. Pesha për ta sqaruar këtë çështje i takon policisë…Tubimi shpërndahet nga forcat policore me uniformë. Masës i duket se policia është aty për t’i shpërndarë, mungon një bashkëpunim real mes të dyja palëve. Pse e ka humbur policia besimin e qytetarëve.”

Një tjetër çështje që ka shkaktuar debat gjatë protestës ishte edhe shoqërimi i të miturve. E pyetur se pse nuk janë informuar prindërit e tyre, apo për mënyrat e marrjes në pyetje, Avokatja e popullit tha: ..“Ajo që ka ndodhur është se për një numër të madh të miturish këto njoftime janë bërë me vonesë.

Do verifikohen në mënyrë të plotë të gjitha denoncimet e bëra në media. Është e rëndësishme që në të gjitha rastet të miturit ose duhet të pyeten në prezence të avokatit apo të prindit. Edhe për një verifikm të thjeshtë. Kurse, ata që ishin nën 16 vjeç nuk duhet të ishin shoqëruar fare.”

Për shoqërimet e gazetarëve, për pjesëmarrje apo shprehje mendimesh rreth protestës, Ballanca tha se ky problem është identifikuar edhe më herët nga Avokati i Popullit.

“Policia ka qenë e mbi-kujtuar se kjo është një kambanë alarmi. Nuk mund të përjashtohen nga askush personat e medias nga tubimet. Për rastin e Desada Metajt, kjo është një çështje delikate, do doja shumë që ta verifikoja në thellësi. Në pamje të parë, është e patolerueshme që ndarja e një opinioni të konsiderohet nxitje për dhunë.” s.b/abcnews.al/