Presidenti amerikan, Donald Trump, ndryshon mendje. Stafi i Shtëpisë së Bardhë nuk do të jetë ndër të parët që do të vaksinohen me vaksinën e Pfizer dhe Bion-tech, ashtu si u tha fillimisht.
Siç mësohet, presidenti ka kërkuar të bëhen ndryshime të planit. Fushata e imunizimit në masë në Shtetet e Bashkuara nis këtë të hënë. Zyrtarë të lartë thanë për mediat të dielën se disa nga dozat e para do t’i rezervoheshin bashkëpunëtorëve të afërt të Trump, me qëllimin për të promovuar besimin publik te vaksina.
Por më vonë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, sugjeroi se zyrtarët e lartë do të duhet të prisnin më gjatë.
“Personat që punojnë në Shtëpinë e Bardhë do të vaksinohen më vonë. Kam kërkuar të bëhen ndryshime lidhur me planin”, tha presidenti.
Trump, i cili u infektua me koronavirus në muajin nëntor, dhe u trajtua për disa ditë në spital, tha se nuk kishte planifikuar ende ta merrte vaksinën, por se priste me padurim ta bënte kur të vinte momenti.
Vaksina e krijuar nga Pfizer dhe Biontech, ofron 95 për qind mbrojtje nga Covid-19 dhe mori dritën jeshile nga administrata për ushqimet dhe barnat, ditën e premte.
3 milionë dozat e para po shpërndahen aktualisht në dhjetëra qendra vaksinimi në të 50 shtetet amerikane. Ngarkesa e parë me vaksinat u nis nga godina e Pfizer në Miçigan ditën e diel. Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit janë të parët në radhë për sigurimin e vaksinës.
Viktimat si pasojë e koronavirusit janë rritur ndjeshëm në SHBA që prej muajit nëntor dhe të shtunën ishte dita me bilancin me vdekjeprurës në të gjithë botën, me 3309 viktima./abcnews.al

