Sanduiçë vetëm me sallam për skuadrën e femrave, skandal në Spanjë

schedule13:59 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 13:59 - 14 Dhjetor, 2020

Futbolli i femrave çdo ditë e më shumë po rritet dhe po grumbullon tifozë nga e mbarë bota, por ende duket e vështirë të arrijë në nivelin e meshkujve si në cilësi ashtu edhe në marketing, pra mbledhjen e të ardhurave.

Si pasojë edhe trajtimi i tyre është i ndryshëm, teksa në disa raste kjo diferencë është më e theksuar se ç’duhet. Kjo ndodh në klubin e Rayo Vallecano. Së fundmi vajzat nuk kanë duruar dhe e kanë protestuar në lidhje me ushqimin dhe pagat.

Rrogat e vajzave paguhen me vonesë dhe janë shumë të ulëta se meshkujt, teksa edhe ushqimi është kthyer në çështje diskriminimi në klub. Së fundmi klubi vendosi t’i sigurojë ushqimin skuadrës së femrave, por gjithçka u kthye në një skandal.

Pas ndeshjes së humbur me shifrat 5-1 ndaj Levante në fillim të këtij muaji mësohet se klubi u ka siguruar sanduiçë lojtareve pas ndeshjes. Skandali qëndron në përbërjen e tyre. Ato përbëheshin nga vetëm disa feta të holla proshutë dhe asgjë tjetër.

Sipas medieve spanjolle lojtaret deshën të bojkotojnë ndeshjen e fundit ndaj Real Sociedad, por në fund vepruan ndryshe dhe përfunduan duke u mundur me shifrat 2-0. Pas ankesës së lojtareve, klubi pretendon se mjekët e ekipit dhanë miratimin për t’u dhënë këtë ushqim vajzave pas një ndeshje, ku lodhja është e madhe, me argumentin se është i përshtatshëm.

Sidoqoftë akuzat për klubin pas atij vakti vazhdojnë dhe në grupin e kritikëve hyn edhe një prej lojtarëve të ekipit të meshkujve, Jose Angel Pozo. Ai e cilëson si turp këtë veprim të klubit ndaj skuadrës së vajzave. “Pas një ndeshje duhet të kesh një vakt të mirë, jo atë sanduiç, që kam parë dhe është turp”, u shpreh Pozo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!