Një provë e re i shtohet hetimit për vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Hetuesit kanë gjetur një thikë, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur në vrasjen e 20-vjeçarit Luis Miguel Varela Mendes.
Burime nga grupi I hetimit konfirmojnë se arma e ftohtë është gjetur e hedhur në ferra, në krahun e majtë të një rruge periferike në ksamil.
Sipas burimeve, vendi ku u gjet thika dyshohet se është edhe pika e fundit ku Dixheji i lokalit “Principote” ka transportuar me automjet 29-vjeçarin Sokrat Vata, të dyshuarin kryesor për vrasjen.
Pas daljes nga automjeti, Vata dyshohet se ka hedhur thikën në ferra dhe është larguar me vrap.
Thika është sekuestruar nga grupi hetimor dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizave, të cilat do të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për armën e përdorur në vrasjen e turistit portugez
20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas disa goditjeve me thikë në kraharor dhe në shpinë, pas një konflikti në Ksamil.
Për ngjarjen Policia e Sarandës ka arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe Sokrat Vata, i cili u kap në fshatin Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Ekspertiza e thikës së sekuestruar pritet të jetë një nga provat që mund të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e plotë të vrasjes.


