Peter Pacult dhe Laçi kishin arritur akordin dhe kurbinasit e prisnin të hënën të zbarkonte në Shqipëri. Dje ndryshoi gjithçka dhe më pas u zyrtarizua Shpëtim Duro si trajneri i ri i Laçit. Ditën e sotme ka pasur lajme të ndryshme mbi prishjen e akordit me teknikun austriak, duke përmendur pagën e lartë, apo kërkesën për të pasur shofer personal.
Gjithsesi burime pranë Pacult bëjnë me dije se diçka e tillë nuk është e vërtetë. Vendimi i trajnerit është krejtësisht personal dhe lidhet me një kërkesë që familjarët i kanë bërë 61-vjeçarit. “Pacult dhe ndërmjetësi Marjan Prela u kontaktuan nga Naim Halili para pak ditësh dhe ishte i gatshëm dhe entuziast, sepse në Shqipëri është ndjerë shumë mirë kur punonte te Kukësi”, tregon një burim për abcnews.al.
I njëjti burim shton: “Pacult analizoi me kujdes ekipin aktual të Laçit dhe ka parë ndeshjet e fundit, të regjistruara. Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit për shkak të këmbënguljes së familjes së Pacult për të mos lëvizur në këtë periudhë pandemie.
Nuk është e vërtetë që Pacult ka bërë kërkesa të tilla, si shofer personal apo pagë 5000 euro. Ka kërkuar veç një ndihmëstrajner që të dinte mjaft mirë gjermanishten dhe ai do ishte Auron Miloti, person mjaft i përgatitur.
Ka qenë vetë Pacult ai që i ka shkruar Halilit për t’i bërë të ditur që nuk mundet të vijë në Shqipëri dhe nuk ka asnjë arsye financiare apo kërkesa të tepruara”. Pacult tashmë do të presë për ndonjë ofertë tjetër në vendlindje, ndërkohë që Laçi shpreson që të gjejë rezultatet pozitive me Shpëtim Duron në pankinë. /abcnews.al