“Burim frymëzimi për Shqipërinë komuniste”, Duka reagon për vdekjen e Rossit

schedule14:14 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 14:14 - 10 Dhjetor, 2020

Ditën e sotme u nda nga jeta një nga legjendat e futbollit italian, Paolo Rossi. Ai nuk mundi t’i mbijetojë sëmundjes së kancerit dhe u dorëzua në moshën 64-vjeçare, teksa do të mbahet mend gjithmonë për shkëlqimin e tij në Botërorin e Spanjë 1982, ku udhëhoqi Italinë te triumfi i madh.

 

Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili ka shkruar një letër për presidentin e Federatës Italiane, Gabriele Gravina. Në mesazhin e tij, Presidenti Duka shkruan se Rossi ishte një burim frymëzimi edhe për shqiptarët në periudhën e vështirë të komunizmit, duke na dhuruar emocione dhe gëzim me paraqitjet e tij në fushën e lojës, veçanërisht në Botërorin e vitit 1982.

“Me trishtim mësova lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të Paolo Rossit, një ish-futbollist i shkëlqyer i klasit botëror dhe një idhull për shumë breza.

 

Ai ishte një burim frymëzimi për shumë shqiptarë gjatë periudhës së vështirë të komunizmit përmes emocioneve dhe gëzimit që na dhuroi në finalet e Botërorit 1982. Sot futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Paolo meriton një vend të veçantë në hollin e famës të historisë së futbollit.

Në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rossi, Federatës Italiane të Futbollit dhe komunitetit italian të futbollit”, shkruan Duka në letrën e tij drejtuar kreut të Federatës italiane, Gravina. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!