Surpriza më e madhe e ditës së djeshme ishte eliminimi i Manchester United nga Champions League. Leipzig arriti t’i mundë anglezët me shifrat 3-2 dhe të sigurojë kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Champions League, duke dërguar United në Europa League.
Angelino ishte një nga më të mirët në fushë. Mbrojtësi i hapi ndeshjen që në minutën e dytë me golin e tij dhe i bëri gati terrenin e triumfit skuadrës së tij. Pas ndeshjes një nga mediet prestigjoze angleze, Sun Sport vendosi ta lidhë këtë ndeshje pikërisht me Angelinon.
Spanjolli është në pronësi të Manchester Cityt, por i huazuar te Leipzig. “City e refuzoi, Angelino shënoi, teksa Manchester United u eliminua nga Champions League”, shkruan Sun Sport, që merr një përgjigje direkte nga 23-vjeçari.
“Çfarë refuzimi shok, unë vendosa të iki vetë. Kini më shumë respekt në tituj”, shkruan Angelino, duke përgënjeshtruar në mënyrë direkte atë që Sun Sport shkruan. Angelino kthehet tek ekipi i Guardiolës në verë dhe me siguri do të qëndrojë atje sepse ka treguar një nivel shumë të lartë me ekipin gjerman. /abcnews.al