Ndreu: Ndaj Vllaznisë kam më shumë alternativa, luajmë për fitore

schedule18:35 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 18:35 - 8 Dhjetor, 2020

Kastrioti pret nesër në Kamzë Vllazninë e vendit të parë, por nuk ka aspak frikë në këtë mes. Sot në konferencë për shtyp doli trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu. Tekniku u shpreh se do mundohet të marrë maksimumin ndaj Vllaznisë, megjithëse kushtet dhe koha për të punuar nuk ka qenë shumë e madhe.

“Padiskutim që është një kundërshtar i fortë në këtë pjesë të kampionatit, që merr vlerësim maksimal sepse ka një ekip të fortë, që ka marrë pikë duke zhvilluar ndeshje të mira. Kemi punuar gjatë kësaj kohe që ka qenë shumë e shkurtër për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.

Duhet që të jemi solidë si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në sulm. Por Vllaznia meriton respekt. E njoh, pasi kemi luajtur dy ndeshje miqësore, por edhe i kam ndjekur në dy ndeshje nga ekrani.

Nuk ka skuadër në botë që për 90 minuta të jetë e vendosur dhe të jetë e përkryer në fushë. Loja ka fazat e veta të ulje-ngritjeve. Në përgjithësi dua të them që jemi në rregull. Futbolli i ka luhatjet, por ne në përgjithësi jemi të kujdesshëm dhe të vendosur mirë në fushë.

Në këtë ndeshje kemi tri alternativa më shumë, ndaj edhe kur kthej kokën nga stoli kam tre lojtarë më shumë, kështu që jam edhe më i “ngrohtë” në këtë takim.

Kjo ecuri është e mirë dhe shpresojmë që ta vazhdojmë dhe më vjen mirë që po shënojnë krahas sulmuesve edhe mesfushorët. Të vazhdojmë sa më shumë këtë rrugë e pse jo duke marrë maksimumin edhe në ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!