Vettingu i Tom Ndrecës/ KPK: Kontakte me kunatin e kapur me 0.4 gr kanabis

schedule16:22 - 13 Korrik, 2018

schedule 16:22 - 13 Korrik, 2018

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, doli të premten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK pretendoi se Ndreca nuk ka deklaruar një kontakt të papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ky person ishte kunati i tij, që në vitin 2011 ishte kapur me një sasi prej 0.4 gramë kanabis me vete.

Me avokaten e tij në krah, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, mbërriti besimplotë në sallën ku do të filtrohej nga vettingu.

Kontrolli i Ndrecës u bazua vetëm në kriterin e figurës dhe pasurisë. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë dy raporte për gjyqtarin.  Në të parin ai vlerësohej i përshtatshëm për sistemin, por i dyti flistë për një kontakt të papërshtatshëm të tij me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas relatimit të KPK-së,  ai ishte shtetasi me iniciale N. GJ., kunati i gjyqtarit. Ky person, tha relatorja, në vitin 2011 është proceduar penalisht për akuzën e “prodhimit e shitjes së narkotikëve”, pasi i ishte gjetur një sasi prej 0.4 gramë kanabis në automjet dhe 6 kg në banesë. Por, Prokuroria e Shkodrës në shkurt 2012 kishte pushuar hetimin ndaj tij me arsyetimin se sasia 0.4 gramë ishte për përdorim vetjak, ndërsa sasia 6 kg nuk ishte provuar të ishte e tij. Megjithëse dyshimet ndaj kunatit të gjyqtarit ishin zeruar nga Prokuroria e Shkodrës, Komisioni tha se gjyqtari Ndreca ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën veting, pasi nuk e ka pohuar këtë kontakt të papërshtatshëm.

Ky vlerësim i KPK-së u kundështua me forcë nga Ndreca dhe avokatja e tij, Mine Progonati. “Klienti im është gjyqtar prej vitesh dhe është i ndërgjegjshëm për veprat penale që përfshin nocioni “krim i organizuar”, tha avokatja. Vetë Ndreca tha se kishte dijeni për procedimin e kunatit, por shtoi se ai nuk kishte pasur ndonjëherë cilësinë e të pandehurit, pasi hetimi është pushuar.

Sa i përkiste pasurisë, anëtari i Gjykatës së Lartë kishte marrë një notë pozitive nga ana Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Të njëjtin mendim nuk ndante KPK. Nga hetimi i thelluar  administrativ kishte rezultuar se gjyqtari zotëronte dy apartamente dhe një garazh në Tiranë, një apartament në Golem, dy depozita bankare të familjarëve dhe llogari rrjedhëse dhe kursime cash. Por teksa nuk kishte gjetur parregullsi në këto pasuri, KPK pretendoi se gjyqtari kishte lënë pa delaruar një shumë prej 1.5 milionë dhe 100 mijë lekë lekë likuiditet të anëtarëe të familjes dhe një automjet të djalit. Sipas bilancit financiar, të ardhura dhe shpenzime ndër vite të gjyqtarit KPK vlerësonte se ai kishte mungesë burimesh për justifikimin e një shumë prej 1.3 milionë lekë. Ndreca pranoi disa pasaktësi në deklarata, duke i justifikuar si lapsuse, gabime njerëzore, harrese apo edhe mungesë eksperience në plotësimin e deklaratave. Ai tha se pasuritë e tij ishin të ligjshme dhe të rregullta duke kërkuar konfirmim në detyrë.

Në përfundim të seancës, gjyqtari zgjodhi të dalë nga dera e pasme duke shmangur kamerat. Vendimi përfundimtar ndaj tij pritet të shpallet në 17 korrik. /abcnews.al