Reja: Duka më kishte treguar prej kohësh, finalja e Conference League diçka e madhe

schedule11:26 - 6 Dhjetor, 2020

schedule 11:26 - 6 Dhjetor, 2020

Shqipëria për herë të parë në historinë e saj do të organizojë finalen e një kompeticioni madh europian, pikërisht atë të UEFA Conference League në vitin 2022.

Në lidhje me këtë arritje të FSHF ka folur trajneri i kombëtares, Edoardo Reja. Trajneri tregon gjithë anët pozitive, rritjen e futbollit tonë dhe bisedën me Dukën, ku ky i fundit i kishte treguar këtë objektiv.

“Jam surprizuar për mirë nga ky vendim i UEFA-s. Sigurisht me stadiumin e ri të ndërtuar së fundmi edhe faktin që Shqipëria po rritet, ky është motiv i madh kënaqësie veçanërisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sepse një ngjarje e këtij lloji, pra organizmi dhe pritja e finales së një kompeticioni të UEFA-s është diçka historike për Shqipërinë.

 

Kjo do të thotë që vendi tashmë ka besueshmëri edhe në nivel evropian. Sigurisht, më duhet të them se meritë të madhe ka edhe presidenti Duka, i cili me raportet që ka krijuar ndërkombëtarisht, me besueshmërinë që ka fituar në forumet e larta evropiane, ka bërë që edhe UEFA të ketë besim te projekti i Shqipërisë.

Në fakt, pas ndërtimit të stadiumit presidenti Duka më pati thënë se synimi i tij ishte që të luhej një finale e madhe në Shqipëri dhe sigurisht që ai ka pasur rol kyç në këtë mes”, u shpreh fillimisht Reja.

Më pas trajneri tregoi rritjen mbi rritjen e futbollit tonë dhe rëndësinë e organizimit të një finaleje të tillë. “Në aspektin sportiv shqiptarët do të kenë mundësi të shohin direkt një finale, ku vlerat teknike janë të një niveli të lartë, duke shpresuar që në këtë sfidë të vijnë skuadra të rëndësishme. Të organizosh një finale të tillë në stadiumin e ri, që është një vërtetë një xhevahir, do të thotë shumë edhe për imazhin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.

 

Urojmë të shohim një ndeshje të bukur dhe stadiumi të jetë plot, pasi deri atëherë shpresoj që edhe pandemia të ketë mbaruar. Është e vështirë që UEFA të të japë një organizim të tillë nëse nuk ka garancitë e duhura që vendi është në gjendje të presë një finale evropiane.

Edhe në aspektin turistik pritja një eventi të tillë është shumë e rëndësishme pasi do të ketë të ardhura për të gjitha baret, restorantet, hotelet. Nëse të huajve do t’u pëlqejë vendi mund të kthehen sërish për pushime.

 

Shqipëria po rritet, po zhvillohet dhe po përpiqet të bëhet gradualisht si vendet e tjera të BE-së. Madje, në futboll ka ecur shumë përpara dhe ka treguar se është në nivel me vendet e tjera të unionit. Pastaj janë edhe shkëmbimet kulturore, eksperienca të reja për mentalitete të ndryshme dhe raporte të reja që krijohen në këto raste të pasurojnë dhe e ndihmojnë vendin të zhvillohet.

Ky event nuk vlen vetëm për natën e finales, por ka efekte të shumta pozitive javë para ndeshjes dhe më pas me jehonën e ndeshjes”, përfundoi Reja. /abcnews.al