VIDEO/ Fitore dhe kryesim për Chelsea dhe PSG, Barcelona bie në transfertë

schedule22:59 - 5 Dhjetor, 2020

schedule 22:59 - 5 Dhjetor, 2020

Festojnë Chelsea dhe PSG, por jo Barcelona. Ekipi i Frank Lampard mposhti 3-1 në “Stamford Bridge” Leeds United e Marcelo Bielsa dhe është ngjitur përkohësisht në vend të parë të Premier League me 22 pikë.

Triumf me përmbysje dhe aspak i lehtë për “Blutë e Londrës”, të cilët e panë veten në disavantazh pas golit të Bamford në minutën e katërt. Oliver Giroud po kalon një moment pozitiv dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 27-të.

Golat dhe rastet e CHELSEA-LEEDS UNITED

Kampioni i botës devijoi saktë një asist të James dhe gjeti golin e parë në kampionat për këtë sezon. Goli i avantazhit për skuadrën vendase erdhi pas një ore lojë. Këndore për Chelsea dhe goditje me kokë e Kurt Zouma.

Topi në rrjetë dhe goli i katërt në Premier League për mbrojtësin francez, i cili është golashënuesi më i mirë i skuadrës bashkë me Timo Werner. Në fund pati festë edhe për amerikanin Pulisic, i cili vulosi fitoren me “tris” të Chelsea.

 

PSG hasi vështirësi në fushën e Montpellier, por ia doli të fitonte 1-3. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Dagba kaloi ekipin e Tuchel në avantazh, ndërsa Mavididi gjeti golin për vendasit. Kampionët e Francës shënuan edhe dy herë të tjera në fraksionin e dytë të sfidës.

Moise Kean tregoi gjithë klasin e tij në minutën e 77-të, teksa në shtesa Kylian Mbappe realizoi golin e qetësisë. PSG kryeson Ligue 1 me 28 pikë dhe të martën duhet të mposhtë Basaksehir për të siguruar kualifikimin në raundin e 1/16 në Champions League.

Golat dhe rastet e CADIZ-BARCELONA

Bie Barcelona. Skuadra katanalase u mposht 2-1 në fushën e Cadiz, ekip që ka fituar edhe ndaj Real Madrid. 2-1 u mbyll sfida për ekipin vendas, që mori tre pikë fantastike falë golave të Alvaro Gimenez dhe Alvaro Negredo. Një autogol i Pedro Alcala barazoi takimin momentalisht për Barcelonën, që regjistroi humbjen e katërt në dhjetë javë kampionat. /abcnews.al