Juventusi arriti të fitojë mbrëmjen e djeshme ndaj Dynamo Kiyv dhe të mbajë ende gjallë mundësinë për të fituar grupin e saj dhe të ketë një short më të lehtë për fazën e 1/16-ave.
Pas fitores së mbrëmshme me shifrat 3-0 foli një nga senatorët e bardhezinjve, Leonardo Bonucci. Që të arrihet vendi i parë duhet të mundet Barcelona me 3 gola e lart diferencë në ndeshjen e fundit.
Mbrojtësi e di mirë vështirësinë, por nuk dorëzohet. Në fund flet pak edhe për arritjen e Ronaldos, që mbrëmë tundi rrjetën për herë të 750-të.
“Nuk do të jetë e lehtë të shënojmë tre gola Barcelonës për të zënë vendin e parë, por ne do të përpiqemi më të mirën tonë.
E dimë se ka një proces dhe një rrugë nga e cila duhet të kalojmë. Synimi ishte të kualifikoheshim në fazën tjetër dhe të ishim në garë me Barcelonën për vendin e parë deri në fund, kështu që ne e kemi arritur synimin. Tani do të përpiqemi të përfundojmë punën.
Mendoj se jemi në rrugën e duhur duke marrë parasysh që nuk kemi pasur ndonjë pushim të vërtetë ose stërvitjen e zakonshme parasezonale që na nevojitet kur ka ndryshime si në stol dhe skuadër.
Shoh te të gjithë dëshirën për tu përmirësuar dhe rritur. Nëse shikojmë të gjitha klubet e mëdha përreth Evropës tani, ata të gjithë po vuajnë në një farë mënyre.
Ndihem sikur çdo ndeshje është një festë e një rekordi të Ronaldos. Është kënaqësi të jem i pranishëm në këto momente të karrierës së jashtëzakonshme të tij”, u shpreh Bonucci. /abcnews.al