Nga Dimitar Bechev, Middle East Institute
Më 14 nëntor nisi zyrtarisht punën Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP). Është e vështirë të mos vlerësohet rëndësia e këtij zhvillimi. Linja e re që shkon nga kufiri i Greqisë me Turqinë deri në Itali, përmes një shtrirjeje prej 878 km, dhe që përshkon gjithashtu Shqipërinë dhe Detin Adriatik, e bën një realitet Korridorin Jugor të Gazit.
Ai sjell për konsumatorët në Bashkimin Evropian dhe në Ballkanin Perëndimor 10 miliardë metra kub gaz në vit nga fusha e Shah Denizit në Detin Kaspik, ndihmon në diversifikimin e furnizimeve me gaz përveç Rusisë, dhe e forcon pozicionin e Azerbajxhanit në tregjet Evropiane.
Ndërkohë, TAP është një projekt shumë i rëndësishëm edhe për Turqinë. Së bashku me Gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP) dhe Gazsjellësin TurkStream, ai e shndërron vendin nga një importues në një rrugë tranziti për gazin. TAP është rezultati i një përpjekje të gjatë, si në nivele diplomatike ashtu edhe të biznesit, për të shpërndarë në Perëndim hidrokarburet e Kaspikut.
Projekti nisi në vitet 2000 me naftësjellësin Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC), dhe atë Baku-Tbilisi-Erzurum (BTE), që ecnin paralelisht. Ato ishin një arritje për diplomacinë energjetike turke dhe amerikane. Krizat e gazit në Ukrainë të vitit 2006 dhe 2009, e ndërgjegjësuan BE-në.
Duke ndjekur linjën e diversifikimit të burimeve, Komisioni Evropian, bashkë me disa shtete anëtare, mbështetën Nabucco-n, një zgjatim të BTE përmes Turqisë dhe Ballkanit. Megjithatë Turqia luajti lojën e saj, dhe në fund mbështeti TANAP, një partneritet me kompaninë SOCAR të Azerbajxhanit.
Kapitulli i fundit në këtë sagë u shkrua në verën e vitit 2013. Konsorciumi i udhëhequr nga BP Shah Deniz –që aktualisht bashkon SOCAR, TPAO të Turqisë, Petronas (Malajzisë) dhe NICO (Iranit) – vendosën në favor të TAP kundër Nabucco West, një version i cunguar i projektit origjinal.
Kjo ishte një fitore për Greqinë, që në atë kohë ndodhej në një krizë financiare, por edhe për Italinë, dhe një pengesë për Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë. Vendimtare për këtë projekt ishte mbështetja e fortë e biznesit për TAP:nga kompanitë British Petroleum (20 për qind e aksioneve), italiania SNAM (20 për qind), Fluxys (19 për qind), Enagas (16 për qind) dhe Axpo (5 për qind).
Po çfarë ndryshim do sjellë TAP?Italia, një lojtare kryesore ekonomike si në Evropën Juglindore ashtu edhe në Mesdhe, ka një rol vendimtar në të. Projekti u shoqërua me një betejë të ashpër politike, pasi u përball me kundërshtimin e ambientalistëve dhe grupeve lokale në provincën jugore të Puljas, ku TAP ka pjesën e tij fundore.
ENI, kompania kryesore energjetike në Itali, ka partneritet të vjetër me ruset e Gazprom dhe Rosneft. Ajo po investon shumë në projektet e mëdha të nxjerrjes së gazit në Mesdheun Lindor siç është fusha në det të hapur Zohr pranë Egjiptit. Prandaj, edhe pse Korridori Jugor i Gazit ka rëndësinë e tij, ai nuk do të shndërrohet në fokusin kryesor të diplomacisë energjetike të Italisë.
Edhe Greqia dhe Bullgaria janë përfituese të këtij gazsjellësi. DEPA dhe Bulgargaz kanë nënshkruar secila kontrata afatgjata me konsorciumin Shah Deniz për 1 miliard metër kub gaz në vit. Ky vëllim, mbulon rreth një të katërtën e kërkesës vjetore në Greqi, dhe një të tretën në Bullgari.
Gazsjellësi ndërlidhës ICGB që po ndërtohet midis dy fqinjëve, do të lidhë TAP me rrjetin bullgar të gazit. Qeveria Bullgare shpreson që ICGB të nisë punën nëmesin e vitit 2021, por shanset janë që ky afat të shtyhet. Kontrata afatgjatë e Bullgarisë me rusen Gazprom, qëgëzon një monopol virtual në treg, skadon në fund të vitit 2022, ndërsa marrëveshja me Shah Deniz siguron një mjet të fuqishëm negocimi, në pasjen e një marrëveshje me kushte më të mira me rusët.
E njëjta gjë vlen përgjithësisht edhe për Greqinë. Por kontrata e DEPA zgjat deri në vitin 2026. Pavarësisht kësaj, TAP po thellon integrimin midis dy fqinjëve, të cilët po bashkëpunojnë gjithashtu për ndërtimin e një terminal të gazit të lëngshëm (LNG) pranë portit verior grek të Aleksandropolisit.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, TAP ka ndikim në Ballkanin Perëndimor. Rajoni mund të thithë vëllime shtesë kur gazsjellësi të dyfishojë kapacitetin e tij. Megjithëse nuk do të marrë gaz nga faza e parë e TAP, Shqipëria është pjesë e Korridorit të Gazit Jugor.
Kjo përbën për të një nxitje që të përmirësojë rrjetin e saj të shpërndarjes të gazit, dhe të rregullojë këtë sektor. Në të ardhmen, TAP mund të lidhet me pjesë të ish-Jugosllavisë si Mali i Zi dhe Kosova, dhe Maqedoninë e Veriut. Shkupi po punon për të pasur qasje tek operatorin grek i rrjetit DESFA.
Edhe Kosova është e interesuar të bëhet pjesë e rrjetit. Shqipëria dhe Mali i Zi po lobojnë për ndërtimin e Gazsjellësit Adriatik Jonian (IAP), së bashku me anëtaret e BE-së Kroacinë, si aktoren kryesore në projekt dhe Bosnje Hercegovinën. Nëse kapaciteti transportues i Korridorit Jugor të Gazit të rritet deri në 20 metër kub në dekadën e ardhshme, siç këmbëngul konsorciumi Shah Deniz, vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin importuese të mundshme.
Në vende si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina, gazi natyror mund të ndikojë në lehtësimin e problemit të madh të ndotjes së ajrit, për shkak të mbështetjes për ngrohje tek qymyri i linjitit. Kjo gjithashtu do të çojë përpara edhe synimin e BE-së për de-karbonizimin e Evropës.
Sigurisht, kalimi tek gazi është më i lehtë të thuhet sesa të realizohet në praktikë, duke pasur parasysh pengesa në infrastrukturë, copëzimin e tregut, mungesën e investimeve dhe mungesat e rregulloreve, të cilat varen nga sektori i energjisë në rajon.
Brukseli po bën presion për reforma dhe zhvillimin e infrastrukturës, por ky është një proces i ngadaltë dhe i mundimshëm. Nga TAP do përfitojë edhe Kaukazi i Jugut. Kjo është më se e qartë në rastin e Azerbajxhanit, por edhe pozita e Gjeorgjisë merr përparësi strategjike. Përmes TANAP dhe TAP, tani është një vend tranzit që kontribuon në sigurinë energjetike të Evropës.
Infrastruktura e re, forcon lidhjet me anëtarët e BE dhe NATO si Italia, Greqia dhe, mjaft shpejt dhe Bullgaria. Ky është një aset edhe për politikën e jashtme gjeorgjiane. TAP po sjell ndryshime në tregjet rajonale të energjisë, dhe kjo gjëme siguri do të ketë pasoja politike. Korridori Jugor i Gazit, nuk do t’i japë fund dominimit të Rusisë brenda natës, Por ne kemi bërë një rrugë të gjatë dekadës së fundit apo më shumë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al