Plazhi i Velipojës pa piketa në det dhe pa roje bregdetare

schedule20:08 - 10 Korrik, 2018

schedule 20:08 - 10 Korrik, 2018

Jemi në mesin e sezonit turistik dhe plazhi i Velipojës ende nuk është pajisur me piketa në det dhe nuk ka roje bregdetare. Për mungesën e rojeve bregdetare kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi tha se përgjegjësia i përket Agjensisë Kombëtare të Bregdetit.

Ky është plazhi i Velipojës. Në 14 kilometra ku qarkullojnë  mijëra pushues nuk të sheh syri asnjë piketë në det të cilat përcaktojnë kufirin e lejuar për t’u larë, por edhe limitin e afrimit për mjetet motorike.

Në këtë zonë të bregdetit janë 80 operatorë qe shfrytëzojne plazhin. Duket se asnjë prej tyre nuk është interesuar për të zbatuar vendimin e qeverisë numër 369 të 18 majit 2016. Aty janë të përcaktuara në detaje edhe mënyra e vendosjes së piketave sinjalizimin dhe kufizimin me bova të hapësirës ujore përpara stacionit të plazhit të dedikuar për not.

“Siç  shihet qartë nuk ka asnjë edhe një element të vendosur në pjesën më të madhe të Velipojës për të caktuar zonën ku do të lëvizet me mjete motorike në ujë, të detyrueshëm që duhet të ishin vendosur” –raporton gazetari i ABC Neës Simon Shkreli.

Shqetësim në Velipojë mbetet edhe mbulimi hapësirës me roje plazhi.

Përgjegjësinë kryetarja e bashkisë së Shkodërs Voltana Ademi ia kalon Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Voltana Ademi: “Për monitorimin e këtij detyrimi ligjor AKB ka detyrimin për të monitoruar nëse ky kriter është përmbushur apo jo? Në këtë rast për sa kohë nuk ka një inspektim nga AKB për këto biznese asnjëherë nuk do jetë e mundur që këto biznese të marrin në punë personelin e trajnuar”

Një 71-vjeçar nga Prishtina humbi jetën pasi hyri në det dhe nuk u gjend askush për t’i ardhur në ndihmë. Derisa institucionet të zgjidhin çështjen e kompetencave jeta e pushuesve në plazhe mbetet në mëshirë të fatit. /abcnews.al

Gazetar ABC News: Simon Shkreli